Lajme
Prindërit e të rinjve që u vranë në lokalin “Panda” në Pejë bëjnë kërkesë për të dëshmuar Vuçiqi, i cili e pranoi se krimin e kishte kryer Serbia
Demokracia
20:02 | 10 Gusht 2023

Share:

Ivan Niniq, përfaqësuesi ligjor i prindërve, djemtë e të cilëve u vranë në kafenenë “Panda” të Pejës, ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë për Krim të Organizuar (TOK) për të dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në kërkesë thuhet se prindërit kërkojnë që Vuçiqi të dëgjohet në lidhje me deklaratat për vrasjen në “Panda”, të cilat i ka bërë disa herë në media nga viti 2013 deri në vitin 2018, duke thënë se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se ai “pothuajse e di” çfarë ndodhi atë natë fatale në atë kafene.

Mësohet se siç ka thënë nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë dhe shef i Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 dhjetor 2013, në emisionin “Teshka reç” në TV Pink: Krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”, transmeton Demokracia.com.

Dy vjet më vonë, në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë, më 11 dhjetor 2015, Vuçiq tha se ishte pothuajse i sigurt se çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”.

“Ne po gërmojmë në errësirë. Unë jam pothuajse i sigurt se çfarë ka ndodhur në kafenenë ‘Panda’, por nuk kam asnjë provë. Nuk jam i sigurt se autoritetet tona mund të krenohen me atë që bënë atëherë”, tha Vuçiq, sipas kërkesës për dëgjimin e tij.

Prindërit kujtojnë gjithashtu se më 12 shtator 2017, Vuçiq kishte deklaruar publikisht se kishte “informata të caktuara” për atë që ndodhi në kafenenë “Panda” në Pejë kur u vranë gjashtë të rinj serbë.

“Vuçiq në konferencën për shtyp tha se “informacione të caktuara” flasin për, siç tha ai, autorë të mundshëm të krimit dhe se “nuk pajtohen me atë që është komunikuar”. “Unë nuk jam prokuror dhe nuk mund të flas për këtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai e di “çfarë mund të ketë ndodhur”.

Ai më pas tha se edhe organet kompetente kanë “informata të caktuara” për atë krim, thuhet në sqarimin e kërkesës për dëgjimin e Vuçiqit.

Prindërit cituan edhe deklaratën e Vuçiqit të datës 1 nëntor 2018 për TV Prva: “Ne kemi informacione dhe autoritetet tona po kërkojnë informacion të plotë. Ne po bëjmë gjithçka dhe ata të jenë të sigurt se nuk do ta fshehim të vërtetën. “Nëse janë shqiptarë apo serbë”, tha ai.

Përfaqësuesi i familjeve të dëmtuara, avokati Niniq, beson se sipas të njëjtave kritere, të cilat janë zbatuar me rastin e marrjes së vendimit për pranimin e veprimeve dëshmuese të dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve të tjerë të propozuar, të cilët janë paraqitur në publik me rastin e ngjarjes, do të duhej të dëgjohej edhe Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiq duhet të dëgjohet veçanërisht duke pasur parasysh përmbajtjen e deklaratës së tij të datës 28.12.2013, i cili është dhënë gjatë kryerjes së funksionit të shefit të Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, dhe si i tillë ka peshë të veçantë dhe mund të kontribuojë në konstatimin e gjendjes faktike në këtë fazë të procedurës”, theksoi Niniq.

25 vite më parë, më 14 dhjetor 1998, rreth orës 20:00, dy sulmues të maskuar hapën zjarr me automatikë ndaj mysafirëve të kafenesë “Panda”, shumica e të cilëve ishin nxënës të shkollave të mesme nga Peja.

U vranë Ivan Obradoviq (15), Zoran Stanojeviq (18), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetisllav Ristiq (18), Ivan Radeviq (24) dhe Dragan Trifoviq (18).

Të plagosur rëndë kanë mbetur Vladimir Lonçareviq (18) dhe Mirsad Shaboviq (34), ndërsa Nikolla Rajoviq (18) ishte plagosur lehtë.

Disa ditë pas krimit, Sigurimi i Shtetit serb të asaj kohe arrestoi dhe dyshoi një grup shqiptarësh të zonës, por ata u liruan nga paraburgimi për mungesë provash. Po ashtu u pat akuzuar edhe UÇK-ja për këtë vepër të shërbimit sekret serb.

Nënkryetari i Qeverisë Federale të RFJ-së i ngarkuar për Kosovën, Nikolla Shainoviq, më pas pati njoftuar se rasti “Panda” ishte zgjidhur.

Prindërit e të rinjve të vrarë i kanë kërkuar më shumë se dhjetë herë presidentit Aleksandar Vuçiq që t’i marrë në intervistë, por përkundër disa premtimeve publike se do ta bënte këtë, ai deri më tani nuk ka folur me familjet.

Hetimi për masakrën në kafenenë “Panda” ka nisur vetëm në nëntor të vitit 2015 në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd.

Deri më tani janë dëgjuar rreth 40 dëshmitarë, por asnjë akuzë nuk është ngritur. /Demokracia.com

Të ngjashme