Lajme
Prezantohet buxheti për vitin 2023 në komunën e Podujevës
Demokracia
22:33 | 06 Dhjetor 2022

Share:

Pas Komunës së Gjakovës, sot, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e prezantuan buxhetin për vitin 2023 në Podujevë.

Para qytetarëve të Podujevës, Murati u shpreh se me buxhetin e vitit 2023, do të vazhdojnë mbështetjen për arsimin, shëndetësinë, bujqësinë e sigurinë. Ai tha se në kuadër të tij parashihet që investimet kapitale, si dhe mallrat e shërbimet të arrijnë vlerën 1.3 miliardë euro, gjë që pastaj reflektohet në rritje të aktivitetit biznesor si dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Tutje, Murati u shpreh se buxheti për komuna në vitin 2023 pritet të jetë për rreth 100 milionë euro më i lartë sesa ai i këtij viti.

Buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2023 pritet të jetë afro 27.5 milionë euro.

Peci u shpreh se mbështetja ndaj bujqve do të jetë më e madhe se asnjëherë më parë. Ai tha se mbështetja për bujqit, për herë të parë arrin vlerën prej 87 milionë euro, e që edhe me mbështetjen e fondeve të jashtme pritet ta kalojë shumën totale të 100 milionë eurove.

Pas prezantimeve fillestare, ministri Murati së bashku me ministrin Peci patën rastin të bashkëbisedojnë me qytetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe komenteve të tyre mbi ndarjet buxhetore dhe projektet për vitin tjetër.

Të ngjashme