Lajme
Pretendimi se “Ekonomia e vendit po vazhdon zgjerimin”, Muratit s’i del matematika: Bie numri i bizneseve të regjistruara
Demokracia
07:51 | 06 Gusht 2023

Share:

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, rreth 3 muaj më parë, doli me disa shifra shpresëdhënëse për numrin e bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë. Më të vënë re publikimin e ASK-së, kreu i Financave nxitoi të lavdërohej me regjistrimin e 3 mijë e 86 bizneseve të reja në Kosovë. Aimadje e tha edhe këtë: “Ekonomia e vendit po vazhdon zgjerimin përkundër krizave globale”. Vetëm tre muaj më vonë, sipas “Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë TM2”, Kosova po del se ka pësuar rënie të ndjeshme të numrit të bizneseve të regjistruara krahasuar me tremujorin paraprak.

Pas publikimit të “Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë TM2″, ministri Murati më mburrje do të dilte me një shkrim në Facebook ku do të jepte lajmin për regjistrimin e 3 mijë e 86 bizneseve të reja në Kosovë.

Sipas tij, këto biznese tregonin që ekonomia e vendit po shkon drejt zgjerimit përkundër krizave globale.

“Rekord numër i bizneseve të hapura në tremujorin e parë 2023. Ekonomia e vendit po vazhdon zgjerimin përkundër krizave globale. Në tremujorin e parë të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 3,086 biznese të reja, që paraqet shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë”, – kishe shkruar Murati.

Tre muaj më vonë, konkluzioni i shefit të Financave se “ekonomia e vendit po vazhdon të zgjerohet” rezultoi paska i ngutshëm. Sipas “Repertorit Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë TM2” publikimit të ASK-së, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, numri i ndërmarrjeve apo bizneseve të regjistruara ka arritur në 2 mijë e 663, duke shënuar një rënie prej 13.7 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

“Në TM2 2023, gjithsej janë regjistruar 2 663 ndërmarrje dhe janë mbyllur 398 të tjera. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2023) ka një rënie prej (-13,7%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërkaq, krahasuar TM2 2023 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2022) ka rënie të ndërmarrjeve të regjistruara për (-6,1%)”, – thuhet në raportin e ASK-së.

Raporti shton se gjatë këtij tremujori u shuan gjithsej 398 ndërmarrje, tregues që përfaqëson një rënie prej 10.76 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e kaluar.

Kur krahasohen të dhënat e tremujorit të dytë të vitit 2023 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, shihet një rënie e ndërmarrjeve të regjistruara për 13.5 pikë për qind, shkruan Nacionale.

“Në TM2 2023, gjithsej janë shuar 398 ndërmarrje, ose rënie prej (-10,76%) krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2023). Ndërsa, krahasuar TM2 2023 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2022) ka rënie të ndërmarrjeve të shuara për (-13,5%)”, – thuhet në raport.

Sa i përket aktiviteteve ekonomike më të preferuara gjatë tremujorit të dytë, tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave ka qenë sektori më i preferuar me 668 ndërmarrje të regjistruara.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave me 668 ndërmarrje të regjistruara (25,1%)”, – thuhet në raport.

Në një vështrim në strukturën e ndërmarrjeve të regjistruara sipas numrit të punësuarve, shihet një dominim i theksuar të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

96 për qind e ndërmarrjeve regjistruara kanë nga 1 deri në 4 punësuar.

“Në TM2 2023, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar ishin gjithsej 2 556 ndërmarrje të regjistruara (96%); me 5 deri 9 të punësuar ishin 68 sosh (2,6%); me 10 deri në 19 të punësuar ishin 24 ndërmarrje të regjistruara (0,9%); dhe me 20 deri 249 të punësuar ishin 15 ndërmarrje të regjistruara (0,6%). Ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka pati asnjë ndërmarrje të re në këtë tremujor”, – thuhet në raport.

Papunësia ende e lartë

Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar një shkallë të lartë të papunësisë, ekonomia joformale e konsiderueshme dhe pabarazia në politikat dhe praktikat e punës, sipas raportit të fundit të Departamentit të Shtetit për “Klimën e Investimeve 2023”.

Sipas raportit -i bazuar në të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës – gati dy të tretat e popullsisë së vendit bëjnë pjesë në grupin e moshës së punës (15-64 vjeç). Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të përballet me një shkallë zyrtare shqetësuese të papunësisë prej 20.7 përqind.

Situata është edhe më e rëndë për të rinjtë, me një normë marramendëse të vlerësuar të papunësisë së të rinjve prej 38 përqind, që tregon një sfidë të konsiderueshme në angazhimin e të rinjve në fuqinë punëtore.

“Sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës, pothuajse dy të tretat e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës janë në moshë pune (15-64). Shkalla zyrtare e papunësisë është 20.7 për qind. Papunësia e të rinjve vlerësohet në 38 për qind.” – thuhet në raportin e DASh-it bazuar në shifrat e ASK-së.

Të ngjashme