Lajme
Pretendimet e Lavrovit për dërgimin e forcave në Ukrainë, MPJD reagon dy ditë me vonesë
Demokracia
13:23 | 20 Shkurt 2022

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas pretendimeve të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë.

Nëpërmjet një reagimi nga MPJD ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike këto shkrime duke thënë se janë të pavërteta dhe tendencioze, shkruan Demokracia.com.

“Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla. MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

Më tej në reagim thuhet se fushata e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë.

“MPJD shpreh solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre.  Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme. Republika e Kosovës i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”, thuhet në reagim, përcjell Demokracia.com.

Kujtojmë se Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Ministrit së Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov. Në njoftimin e MEPJ, në shenjë proteste është thirrur ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri, që ta përgënjeshtrojë lajmin e publikuar nga mediat ruse.

“MEPJ hedh poshtë kategorikisht pretendimet e publikuara sot në agjencinë e lajmeve ruse TAS dhe dyshimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit”, thuhet në reagimin e MEPJ-së së Shqipërisë.

Vlen të përmendet se shefi i diplomacisë ruse e cilësoi Ballkanin Perëndimor terren për krimin, ku ka terroristë dhe trafikantë droge, që sipas tij do të rekrutohen në zonën e rrezikut në Ukrainë.

“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen një terren për krimin. Ka terroristë dhe trafikantë droge. Është një terren rekrutimi për mercenarët që marrin pjesë në konflikte të cilat po nxiten gradualisht, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë. Ne po e rishikojmë këtë informacion tani”, tha ministri i jashtëm rus.

Në anën tjetër, lidhur me këtë çështje ka reaguar vetëm Blerim Vela nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 17 Maj 2024