Suhareka do të ketë vëmendjen e futbolldashësve kosovar në fundjavë. Kjo ngase aty do të përballen dy prej pretendetëve për titull të kampionit këtë edicion.
Të dielën, me 6 mars, stadiumi i qytetit në Suharekë do të jetë arenë e ballafaqimit mes Ballkanit dhe Llapit. Fitorja në këtë sfidë do të thoshte shumë për dy taboret.
Ballkani është lider i tabelës me 45 pikë, gjashtë më shumë se Llapi që pozicionohet në vendin e katërt, por që është në hap për titull bashkë me dy rivalët e Anamoravës, Dritën (41) e Gjilanin (43).
Zeka: Llapi skuadër cilësore, por dalim “faqebardhë” nga takimi me Llapin
Futbollisti që po kalon formë të jashtëzakonshme te Ballkani në stinorin pranveror, Mevlan Zeka ka thënë për Demokracia.com se ata janë përgatitur maksimalisht për këtë duel.
Zeka që ka regjistruar tre gola në katër paraqitjet e fundit shton se përkundër cilësisë që posedon ekipi llapjan, ata do dalin “faqebardhë” këtë takim.
“Ne jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. E dimë që Llapi ka cilësi brenda skuadrës, por mendoj se ecurinë tonë pozitive do ta vazhdojmë tutje. Pritshmërit tona janë të qarta. Ne do të luftojmë për objektivat e skuadrës deri në fund. Duke parë ligën e Kosovës, tani çdo dy javë ka derbi. Sepse gjitha skuadrat do të ndeshen mes veti, ndërsa për derbin me Llapin duke parë atmosferën dhe seriozitetin, mobilizimin në skuadër mendoj që do të dalim faqebardhë nga ky takim”, deklaroi anësori i Ballkanit, Mevlan Zeka të enjten për Demokracia.com.
Ramadani: Do japim maksimumin në Suharekë, po analizojmë pikat forta dhe të dobëta të Ballkanit
Arbnor Ramadani, futbollisti i pandalshëm i Llapit është treguar i matur përpara kësaj sfide jo të lehtë për të dhe bashkëlojtarët e tij.
Mesfushori gjilanas ka thënë se ata po përgatiten për këtë takim, ndërsa është shprehur optimist se do dalin të pamposhtur nga Suhareka.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht. Siç na analizojnë ekipet tjera neve, jemi duke i analizuar edhe ne pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Pritshmërit i kemi të mëdha. Duke pasur parasysh ecurinë që kemi në ndeshjet e fundit besojë shumë në rezultat pozitiv”, u shpreh futbollisti i Llapit, Arbnor Ramadani të enjten për Demokracia.com duke shtuar:
“Duke pasur parasysh ecurinë e dy skuadrave dhe sikurse për ne ashtu edhe për ata do jetë ndeshje shumë e fortë. Ne do futemi ta japim maksimumin pastaj çfarë do sjell ndeshja mbetet të shihet. Do luftojmë deri në pikën e fundit për rezultat pozitiv”, nënvizoi për fund Ramadani.
Ballafaqimi mes Ballkanit dhe Llapit luhet të dielën me fillim nga ora 13:30. /Demokracia.com/