Lajme
Presioni publik e detyron Hekuran Muratin të kërkojë falje, s’jep dorëheqje
Demokracia
17:00 | 01 Korrik 2022

Share:

Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, ditëve të fundit ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik për disa deklarata të tij në të kaluarën, ku i fyente veteranët e UÇK-së.

Deklaratat e Hekuran Muratit ngjallën shumë reagime në opinionin kosovar. I madh e i vogël i komentuan, përveç shefit të Muratit, kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se nuk merret me komentime dhe ka prioritete të tjera.

Madje, për deklaratat e tij është thirrur edhe një protestë ku do të kërkohet dorëheqja e numrit 1 të financave në Kosovë.

Megjithatë, sot Murati është vetëmjaftuar me një kërkimfaljeje, duke mos dhënë dorëheqje, shkruan Demokracia.com.

“I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky është qëndrimi im. Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve. E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, ka shkruar ministri Hekuran Murati.

Por, Murati sa nuk ishte ministër duket se e kishte pasur “kohën e botës” dhe në Facebook kishte shkruar për çdo temë.

Ai kishte dhënë “ekspertizë” edhe për rastin e Astrit Deharit, liberalizimin e vizave, buxhetin e RTK-së, dorëheqjen dhe largimin nga Kosova të prokurorit Elez Blakaj, investimet në sport, çmimin e rrymës.

E krejt problemet për të cilat kishte shkruar Murati vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot, kur ai është zyrtar i lartë i shtetit dhe mund të punojë që këto probleme të zgjidhen.

Le të nisemi nga ekspertiza e tij për vdekjen e Astrit Deharit, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Murati në vitin 2019 vlerësonte se Astrit Dehari u vra nga strukturat e shtetit.

Murati dikur premtonte se pagat do të rriten edhe në sektorin privat. Pagat s’u rritën, por çmimet fluturuan.

Kosovarët aktualisht po kalojnë në krizë të rëndë ekonomike, por Murati tash hesht për rritjen e pagave.

Madje, partia e tij votoi kundër heqjes së akcizës për produktet bazike dhe derivatet e naftës.

 

Murati kishte shkruar dhe e kishte kritikuar edhe ZRRE-në për rritjen e çmimit të rrymës, duke thënë se po rritet ilegalisht.

E ZRRE e rriti çmimin e rrymës edhe në qeverisjen e Muratit me shokë. Madje, vendimi për rritjen e çmimit të naftës po “qarkullon” sa në atë gjykatë, sa në tjetrën, shkruan Demokracia.com.

 

Ministri Murati që shfaqte mosbesim në drejtësinë kosovare bashkë me partinë e tij nuk sollën asnjë ndryshim në këtë fushë.

Opozitari Murati kishte komentuar edhe çmimet e derivateve të naftës, që në atë kohë shitej me 93 ose 95 centë, kurse sot kur ky është në pushtet çmimi i naftës ka ditë që sillet në rreth 2 euro.

 

Hekuran Murati dikur kërkonte edhe arsye pse Kosova duhet të jetë pjesë e CEFTA-s. Por, siç duket as sot kur Kosova qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk i ka marrë nga askush arsyet pse Kosova duhet të jetë pjesë e këtij mekanizmi.

Kosova vazhdon të jetë anëtarë në këtë nismë rajonale.

Problemet në Kosovë nuk kanë ndryshuar, por ka ndryshuar vetëm opinioni i Muratit dhe bashkëpartiakëve të tij, të cilët problemet e atëhershme për të cilat premtonin zgjidhje, nuk i zgjidhën ende, por po i thellojnë çdo ditë e më shumë. /Demokracia.com/

Të ngjashme