OpEd
Presioni gërryes për Presidentin e Serbisë
Demokracia
08:34 | 20 Prill 2022

Share:

Shkruan: Blerim Shala

Në një reportazh të një gazetareje ruse që punon ende për një portal të pavarur në Moskë, ajo, gjatë qëndrimit të saj në Beogradin e këtyre ditëve, shfaq habinë e madhe me faktin që Vladimir Putin dhe pushteti i sotëm i Rusisë, kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, kanë më shumë përkrahje në Serbi se sa në vet Rusinë.

Ajo pohon që teksa në Rusi, në hulumtimet e opinionit, pushteti rus ka arritur mbështetjen e afër 70% të popullatës për luftën në Ukrainë, në Serbi, kjo përqindje është për 10% më e lartë, apo, ajo ka stabilitetin impozant të 80%-shit.

Për te, megjithatë, është e pakuptimtë i gjithë ky rrëfim për famën e Vladimir Putinit në Serbi, që siç pohon ajo, është e denjë për një rock star, e jo për një politikan.

Megjithatë, ky tregim, siç po shihet gjithnjë e më shumë, prej një sigurese të madhe politike për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić, ka nisur të merr trajtën e një laku rreth fytit të tij, teksa ai nuk do ta ketë kohën e krejt Botës (siç do të mund të shpresonte), për ta tëfilluar këtë lëmshin e madhe dhe të rrezikshëm të cilin e ka krijuar vet, duke nisur që nga viti i parë i pushtetit të tij si Kryeministër i Serbisë, në vitin 2014.

Deri në zgjedhjet e përgjithshme dhe presidenciale të 3 prillit, Presidenti i Serbisë ka blerë kohë me bashkëbiseduesit e tij në Perëndim, për të artikuluar përgjigjen e tij ndaj kërkesave të vazhdueshme të Washingtonit, Brukselit dhe të kryeqendrave të tjera kryesore, për aplikimin e sanksioneve ndaj Rusisë, në vijim të agresionit të pashembullt të forcave ushatarake ruse në një shtet sovran, çfarë është Ukraina.

Në ndërkohë, Serbia ka votuar dy herë kundër Rusisë në OKB, por vazhdimisht, Vučić ka treguar kujdes të madh kur është shtruar çështja e bashkangjitjes së Serbisë me shtetet tjera të Evropës dhe të rajonit (me përjashtimin e Bosnjë dhe Hercegovinës, për shkak të vendimmarrjes së njohur në Sarajevë dhe veto-s që gëzon lidershipi i Republika Srpska-s në këtë shtet), në imponimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Një tjetër bela e ka zënë Vuçiq-in në këtë aspekt.

Tema e marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë, apo, të relacionit të Beogradit me Luftën në Ukrainë, u bë edhe çështje e fushatës parazgjedhore, para votimit të 3 prillit.

Vučić dhe partia e tij SNS, i kishin ’duartë e lidhura’ në këtë aspekt. Apo, ai nuk mund të thirrej në përkrahjen të cilën realisht e gëzon nga Presidenti Putin. Në rrethanat e tjera, pa kurfarë dyshimi, Vučić do t’ia mësynte Moskës ku do të pritej nga lideri i Rusisë. Kësaj here, ky jo vetëm që nuk mund ta shihte as në ëndërr një bisedë të këtillë me Putinin, por nuk mund ta përdorte atë ’çekun e bardhë’ politik të bashkëpunimit të ngushtë me Rusinë.

Por, miqësinë e Serbisë me Putinin dhe Rusinë e përdorën shumë parti të tjera (në radhë të parë, Socialistët e ish-Kryeministrit Ivica Dačić, por edhe partitë e ekstremit të djathtë në këtë shtet), të cilat, bazuar edhe në hidhërimin të cilin nuk po e fshehin Presidenti i Serbisë dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, përfituan goxha mirë nga fakti që në kampanjën parazgjedhore, Vučić dhe SNS-i duhej ta mbanin gojën e mbyllur në temën e Rusisë.

Nuk ka kurfarë dayshimi që Vučić në ditët dhe javët e ardhshme do të gjindet nën një presion të dyfishtë, i cili sa vjen dhe do të rëndohet.

Në njërën anë, ai e di SHBA-ja dhe BE-ja, do t’ia kujtojnë thuaja përditë që zgjedhjet në Serbi kanë marrë fund, që ai është fitues brutal i tyre dhe që Qeveria e re e Serbisë do të mund të bëhet pak a shumë me formulën e vjetër politike. Prandaj, ai duhet të merr vndimin e pritur që të aplikojë sanksionet ndaj Rusisë. Në të kundërtën, Beogradit do t’i vijë për pagesë një llogari problematike politike, ekonomike dhe financiare.

Por, në anën tjetër, në shoqërinë dhe në politikën serbe ka nisur të mobilizohet një përkrahje e madhe për politikën që edhe me kusht të prishjes së marrëdhënieve me Perëndimin, këmbëngulë në përjashtimin kategorik të opsionit të vendimit për sanksione ndaj Rusisë.

Partitë e ekstremit të djathtë, që i kanë 35 deputetë në Kuvendin e Serbisë, kanë shfaqur tashmë publikisht qëndrimin për këtë çështje kritike, teksa mbi dyqind intelektualë serbë kanë nënshkruar peticionit për refuzimin e këtij detyrimi të Serbisë, nga ai pikëshikimi perëndimor.

Presidenti Vučić në këtë mënyrë, krejtësisht me meritën e vetëvetes, ka mbërritë në një moment politik, kur për te nuk ka më zgjedhje të mirë, teksa e ka të pashmangshme, herët a vonë, ta bëjë përcaktimin e tij se kah do t’ia mbajë, apo, si do të përcaktohet në këtë udhëkryqin e madh ndërkombëtar, dhe në këtë tjetrin, brenda vendit, pak kohë pasi e mori mandatin e dytë pesëvjeçarë si President i Serbisë, duke marrë, madje, urime, nga të katër anët e Botës.

Vučić me siguri do të përpiqet sërish të blejë kohë dhe ta zvarritë vendimin e tij final për Rusinë dhe Ukrainën, kësaj here, duke i thënë politikanëve dhe diplomatëve perëndimor që nuk mund ta shpallë këtë vendim pa krijuar Qeverinë e re të Serbisë, ndëra do t’i merr kohë krijimi i një shumice të re parlamentare në Kuvendin e Serbisë.

Në ndërkohë, Vučić shpreson që farë mrekullie mund të ndodhë në formë të përfundimit të Luftës në Ukrainë dhe të ndonjë Marrëveshjeje paqësore në mes të Kijevit dhe Moskës.

Megjithatë, duket që koha e opsioneve të mira për te, ka ikur në pakthim.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024
OpEd • 28 Qershor 2024