Lajme
“Presim nga shtetet që na përkrahin…” | Deklarata e Osmanit që lë të nënkuptohet se sanksionet janë vendosur nga shtetet që s’e përkrahin Kosovën
Demokracia
11:00 | 12 Shtator 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duket se nuk i kushton shumë vëmendje logjikës së deklaratave që ajo bënë. Shpeshherë këto deklarata krijojnë përshtypjen e pozicionimeve të shteteve, edhe pse në realitet nuk është ashtu.

E tillë është edhe deklarata e saj e dhënë në kuadër të procesit të Brdo-Brionit, më 11 shtator 2023, ku po marrin pjesë edhe presidentët e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Demokracia.com.

“… ne presim nga shtetet që na përkrahin, siç është Kroacia, të ndërmarrin hapat ndër të parat për të iniciuar largimin e këtyre masave”, ka thënë presidentja Osmani.

Kjo deklaratë e saj lë të nënkuptohet se shtetet që kanë përkrahur vendosjen e masave ndëshkuese për Kosovën, për shkak të tensionimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, i takojnë shteteve që nuk e përkrahin shtetin e Kosovës. Por, kjo nuk është e saktë, pasi masat ndëshkuese apo sanksionet janë vendosur nga Bashkimi Evropian dhe jo nga shtetet e veçanta. Ato kanë hyrë në fuqi në fillim të muajit korrik. Këto masa ndëshkuese apo sanksione janë mbështetur edhe nga shtetet e fuqishme evropiane, që njëkohësisht e përkrahin shtetin e Kosovës, si Franca dhe Gjermania.

BE jep detaje për sanksionet ndaj Kosovës: Kanë hyrë në fuqi, njoftuam Qeverinë më 28 qershor

Presidentja Osmani, dikur edhe si deputete e LDK-së, është shquar për përdorimin e shprehjeve që nuk lënë asnjë vend për debat. “Përgjithmonë”, “kurrë”, “asnjëherë”, janë vetëm disa prej këtyre shprehjeve që i përdorë shpesh presidentja Osmani.

Osmani nuk ka arritur që t’iu qëndrojë këtyre fjalëve të dhëna.

“Vetëm shiko sa ish-deputetë të PDK-së ke përreth, shiko sa ish LPK-istë ke përreth dhe do ta marrësh përgjigjen pse unë e Lumiri, jo sot po kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje”, thoshte Osmani nga Kuvendi i Kosovës si deputete e LDK-së, më 26 tetor 2017, por që vetëm pas një kohe të shkurtër ajo u bë kandidate për deputete të VV-së dhe u bë presidente me votat e kësaj partie.

Rasti i fundit serioz kur Osmani ka përdorur shprehje të cimentuara është reagimi i saj për paralajmërimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për pezullimin e vizave nëse nuk veprohet me përgjegjësi në dialog me Serbinë.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë ndër tjera presidentja Osmani. /Demokracia.com/

Të ngjashme