Lajme
Presidentja që s’po arrin të bëhet faktor uniteti, dje tregoi se ende “kollitet” në Guxo
Demokracia
20:22 | 08 Shtator 2022

Share:

Më 4 prill 2021, ditë kur u zgjodh presidente Vjosa Osmani, premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Në ditën që mori besimin si e para e shtetit, Osmani tha se do të jetë unifikuese, shkruan Demokracia.com.

“Si presidente e juaja, presidente e të gjithë qytetarëve pa dallim, do të sigurohem që interesi ynë nacional të jetë mbi gjithçka tjetër, që Kushtetuta të jetë udhërrëfyes i yni i përhershëm, që aleancat tona me miqtë të ruhen e thellohen, që kapitali i jashtëzakonshëm njerëzor të fuqizohet e të angazhohet, që e drejta të sundojë, që natyra dhe jeta mbi të të mbrohet, që inovacioni të lulëzojë, që barazia të kultivohet e puna të shpërblehet. Unë do të jem presidentja juaj, presidentja e të gjithëve, e prirë nga gjithëpërfshirja në vendimmarrje e unifikuese në sfida e në të arritura”, tha Osmani atë ditë.

Por, në shumë raste, Osmani ka treguar se nuk është përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të saj, duke marrë anë nga partia që formoi, Guxo, si dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në ditën që partia të cilën ajo e braktisi për ta marrë pozitën e presidentes mbajti Kuvendin e Parë Zgjedhor, Vjosa Osmani u shfaq në një fotografi me dy kryetarët e Guxo, që vazhdon të mbetet e padëgjuar në historinë politike që një parti të udhëhiqet nga dy kryetarë njëkohësisht dhe jo me rrotacion.

Edhe familjarët e Osmanit, po ashtu, morën pjesë në Kuvendin e kësaj partie, shkruan Demokracia.com.

Por, fotografia e publikuar në ditën e kuvendit zgjedhor me dy kryetarët tregoi se Osmani ende ‘kollitet’ në Guxo dhe nuk është ndarë nga partia e vogël e saj.

Osmani në vazhdimësi është kritikuar se nuk po arrin t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse ajo prej ardhjes në krye të shtetit ka heshtur për të gjitha temat e nxehta.

E para e shtetit është kritikuar se për të gjitha temat që kanë ngjallur shumë debat në shoqëri ka folur vetëm pasi e ka dhënë qëndrimin e tij kryeministri Albin Kurti, duke marrë pothuajse çdo herë anën e tij.

Osmani së fundmi duke dashur ta ushtrojë rolin e saj si faktor unifikues, u përfshi në krizën e grevave të mësimdhënësve, gjë që ngjalli shpresë për gjetjen e një zgjidhjeje, por edhe kësaj here i zhgënjeu qytetarët e saj, duke marrë anën e Kurtit.

“Do të jem sy për të identifikuar vendndodhjen tuaj e vesh për të dëgjuar nevojat tuaja”, ishte një premtim tjetër në ditën që u zgjodh presidente e që nuk arriti të bëhet asnjëra prej tyre.

Osmani për javë të tëra nuk foli as për krizën energjetike, as për inflacionin, as për kërkesën për lejimin e shamisë në shkolla, që krejt këto janë kërkesa të qytetarëve që premtoi se do t’i dëgjojë.

Ajo që në fjalim e saj çdo të dytën fjalë i përmendte vajzat e vogla, nuk arriti të bëjë që institucionet e Kosovës t’i mbrojnë ato. Vetëm javëve të fundit janë denoncuar shumë raste të përdhunimit e abuzimit me vajza të vogla. Rasti më tronditës ishte ai i një vajze 11-vjeçare, që u përdhunua nga pesë burra. E më pas doli se ajo ishte trafikuar edhe më herët. /Demokracia.com/

Të ngjashme