Lajme
Presidentja punon nga spitali, flet axha i saj që punon në klinikën ku u operua
Demokracia
20:40 | 04 Nëntor 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po vazhdon trajtimin post operativ në një spital privat, xhaxhai i saj që në këtë rast është mjek asistent i Presidentes ka treguar për gjendjen shëndetësore të Osmanit

Dyert e presidencës ka tre ditë që nuk janë hapur. Në një nga zyrat më të rëndësishme në vend, këtu nuk është paraqitur shefja e shtetit.

Vjosa Osmani iu nënshtrua një operacioni, prandaj ajo po vazhdon të trajtohet në këtë spital privat.

T7 ka kontaktuar mjekun i cili po kujdeset për gjendjen shëndetësore të presidentes.

Eshref Osmani i cili njëkohësisht është edhe xhaxhai i Vjosa Osmanit ka treguar se kur pritet të lirohet shefja e shtetit nga spitali.

“Mirë është gjendja, nuk ka ndonjë problem. Është stabile. Hala nuk e kemi vendos nëse do të lirohet sot”

Ndërkohë, profesionistë të fushës i thanë televizionit se pacientët me ndërhyrje të tilla nuk e kanë të caktuar se sa ditë të qëndrojnë në regjim shtrati.

Megjithatë kurdo që lirohet, nga Zyra e Presidentes treguan se Osmani do të vazhdojë rikuperimin në banesën e saj në kryeqytet.

“Presidentja pritet ta vazhdoj rikuperimin në banesën e saj në Prishtinë pasi mjekët të lirojnë atë nga kujdesi spitalor. Presidentja Osmani ka qenë në kontakt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës lidhur me zhvillimet e fundit për sa i përket rendit dhe sigurisë në vend, si dhe me institucionet e tjera për temat dhe zhvillimet aktuale”, tha Blerim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

Në ditën e parë që po trajtohej në spital presidentja detyrën ia kaloi kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës.

Megjithatë gjatë të enjtes presidentja ndonëse nga spitali, filloi t’i kryejë përgjegjësitë e saj.

Osmani emëroi 27 anëtarë të rinj të Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Sipas Ligjit për Presidentin e Republikës të Kosovës, Osmani do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë ato.

E përfaqësues të partisë në pushtet në Kuvendin e Kosovës nuk shohin asgjë të pazakonshme që presidentja Osmani është operuar në spital privat e jo në atë shtetëror.

“Është çështje personale, dhe duhet ta respektojmë të drejtën e çdo individi…”, tha deputeti Haki Abazi.

I pyetur nëse do të zgjidhte të trajtohet në institucione shëndetësore private përballe atyre publike, deputeti Haki Abazi pati këtë përgjigje.

“Unë do e zgjidhja luftën e pakompromist në sistemin shëndetësor..”, shtoi ai.

Veç vendimit që mori, Osmani reagoi edhe për arritjen e tri marrëveshjeve në Berlin një ditë më parë.

Të ngjashme