Lajme
Presidentja Osmani i jep medalje kompanisë së afërt me të dhe Kurtin, që i kishte larguar nga puna rreth 60 punëtorë
Demokracia
21:39 | 30 Dhjetor 2023

Share:

Në prag të festës së Vitit të Ri, presidentja Vjosa Osmani vendosi t’iu japë dekorata e medalje një mori kompanive të sektorit të IT-së Kosovë. Por, përzgjedhja u bë në mënyrë klienteliste dhe pa kritere të mirëfillta publike të kompanive të IT-së, shkruan Demorkacia.com.

Në Kosovë, sektori i Teknologjisë Informative ka filluar të marrë hov viteve të fundit. Janë dhjetëra kompani që kanë nisur të zgjerohen fuqishëm, por presidentja Osmani vendosi të ndajë dekorata vetëm për 14 sosh. Ajo që ra në sy ishte se Osmani e dekoroi edhe një kompani minore në Kosovë, në këtë sektor. Bëhet fjalë për kompaninë UCX. Medaljen për të e pranoi ish-bashkëpronarja e kësaj kompanie Jeta Zagragja.

Demokracia.com ka gjetur se familja Zagragja dhe vetë Jeta Zagragja janë shumë të afërt më kryeministrin Kurti dhe presidenten Osmani. Kryeministri Kurti e ka pranuar në takim disa herë, e ka viztuar edhe në SHBA ku vepronte ajo.

Më 25 qershor, UCX kishte shpall blerjen e UCX Kosova. Këtë e kishte konfirmuar edhe vetë Jeta Zagragja në një postim në rrjetin social Facebook.

E vërteta është se më pas investitorët amerikanë ishin tërhequr nga investimi i tyre në Kosovë dhe kompania kishte falimentuar, duke i lënë të papunë dhe pa paralajmërim rreth 60 inxhinierë kosovarë të softuerit. Ndërsa, Jeta Zagragja nuk është më as aksionare këtu, ndonëse në ARBK akoma e ka emrin aty, ku siç shihet kompania është themeluar në vitin 2017.

“Kosova është prijëse e zhvillimeve teknologjike dhe shteti me konkurrueshmërinë më të madhe në fushën e IT-së në rajon. Për këtë qëllim, presidentja u ndau medalje të meritave dhe çmime për inovacion kompanive pioniere të teknologjisë informative në Kosovë. Këto kompani, me vullnetin e tyre të fortë dhe aftësitë e tyre të larta inovative, kanë hapur shtigje të reja dhe kanë bërë Kosovën një faktor të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare në fushën e teknologjisë informative. Kompanitë ICK dhe Gjirafa u dekoruan me Medaljen Presidenciale të Meritave, ndërkaq Çmimi për Inovacion i është ndarë kompanive: e Stikk, Venture UP, Solaborate, Linkplus, Shkolla Digjitale, UCX, Labbox, Bonevet, Cacttus Education, Open data Kosova dhe Appdec”, thuhet ndër tjera në një komunikatë për media të Presidencës së Kosovës.

Për UCX, çmimin e pranoi Jeta Zagragja. Më pas ajo shkroi në rrjetin social Facebook: “Jam thellësisht e nderuar dhe e përulur që pranova Medaljen Presidenciale nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, për kontributet në inovacion, hulumtim dhe zhvillim në industrinë teknologjike. Kjo njohje është shumë më tepër se një arritje personale; dhe është një testament i punës së palodhur, nxitjes dhe frymës kolektive të çdo anëtari të ekipit, partneri, udhëheqësi dhe mentori me të cilët kam pasur privilegjin të punoj. Shpresoj që kjo të jetë një kujtesë dhe frymëzim për komunitetin që, së bashku, dhe me punë të përkushtuar mund të ripërcaktojmë atë që është e mundur dhe e arritshme. Jam thellësisht borxhli ndaj ish-partnerit dhe vëllait tim të biznesit – Yll Zagragja meritat e tij nuk janë më pak meritore për një njohje të tillë”, ka shkruar në gjuhën angleze ajo.

Ndonëse emri për ta pranuar medaljen i është thirrur si përfaqësuese e kompanisë, ajo nuk e ka përmendur në asnjë rresht atë, por ka thënë se “kjo njohje është shumë më tepër se një arritje personale….”.

Më 2 shkurt 2022, presidentja dhe kryeministri e patën vizituar biznesin e Zagragjes.

Më 21 qershor 2022, presidentja Vjosa Osmani e kishte marrë me vete Zagragjën edhe në një udhëtim në Estoni.

Përsëri më 5 shkurt 2021, Osmani e Kurti e patën vizituar biznesin e Zagragjes nën arsyetimin për mbështetjen e bizneseve të sektorit të IT-së.

Kryeministri banon të agja i Jeta Zagragjës

Pak para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti e ndërroi vendbanimin. U zhvendos në ‘Taslixhe’, në një lagje periferike të Prishtinës. Albin Kurti paguan vetëm 250 euro qira për një shtëpi mjaft të madhe, dy katëshe. Por, pse kaq pak? Kurti për kulmin mbi kokë u jep shumën përtoke qiradhënësve me mbiemër Zagragja, familjaren e të cilëve e kishte vizituar zyrtarisht sa qëndroi së fundmi në SHBA.

Ishte fillimi i vitit 2021, menjëherë pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare, kur Albin Kurti nga një banesë 60 metra katrorëshe në lagjen e ‘’Muhaxherëve’’ u zhvendos në një shtëpi 500 metra katrorë në ‘Taslixhe’. Kryeministri Kurti kishte thënë se këtë e kishte bërë për çështje sigurie, sepse natyrisht tash është njeri i pushtetshëm.

Shtëpinë dykatëshe e kishte marrë me qira për tre vjet, me çmim 250 euro në muaj. Kështu e ka të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Por, sa është i arsyeshëm ky çmim?

Shtëpia në të cilën është vendosur kryeministri Kurti me familje është në emër të Blerim Zagragjës.

Vëllai i tij që jeton në Kosovë, Burim Zagragja, e kishte konfirmur se Albin Kurti është zhvendosur në shtëpinë e tyre.

“Diçka e di e diçka nuk di, për rastin e shtëpisë nuk është fer nga ana jonë të flasim… për këtë çështje mos prisni që edhe vëllezërit e mi të flasin për këtë punë… ju duhet t`i drejtoheni kryeministrit për këtë”, kishte thënë ai për Gazetën Blic.

Sido që të jetë, Jeta Zagragja, vajza e Burimit, shihet se më pas ka ndërvepruar shpesh me dy institucionet më të larta të vendit, më konkretisht me përfaqësuesit e tyre. Ajo ishte vizituar nga kryeministri Kurti në zyrën e saj në Çikago, ku punon si Drejtoreshë e Marketingut në kompaninë UCX.

 

Madje, vetë Burim Zagragja kishte reklamuar në Facebook një vizitë të dy krerëve të shtetit në kompaninë e fëmijëve të tij.

Në tetor të vitit 2022, Jeta Zagragja do të shkonte përsëri në Zyrën e Kryeministrit, veçse tash si përfaqësuese në një tjetër biznes, si anëtare e Bordit të Fondit Kosovar Amerikan të Edukimit (KAEF), të udhëhequr nga Dale Pfeiffer.

Po në tetor, ajo ishte edhe një herë tjetër në Zyrën e Kryeministrit. /Demokracia.com/

Të ngjashme