Lajme
Presidentja Osmani i frikësohet Gjykatës Kushtetuese, i vështirësohet vendimmarrja për pezullimin e zgjedhjeve në veri
Demokracia
12:37 | 10 Dhjetor 2022

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka dërguar edhe zyrtarisht presidentes Osmani shkresën ku nuk rekomandohet shtyrja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat janë caktuar të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor 2022.

Demokracia.com ka mësuar se presidentes Osmani tashmë i është vështirësuar vendimmarrja për pezullimin e zgjedhjeve, pasi që edhe ministri Xhelal Sveçla ka dalë hapur me deklarata se mund të sigurohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Ndërsa, KQZ tashmë edhe zyrtarisht nuk e ka rekomanduar shtyrjen e tyre.

Shtyrja e zgjedhjeve ose pezullimi i tyre pa rekomandim dhe kërkesë të institucioneve përgjegjëse për presidenten Osmani rrezikon ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Siç ka mësuar Demokracia.com nga burime brenda zyrës së Osmanit, tashmë edhe ambasadorët e shteteve të Kuintit janë duke lobuar tek partitë opozitare që t’ia bëjnë më të lehtë presidentes Osmani vendimmarrjen për shtyrjen e zgjedhjeve në veri dhe të mos e çojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese.

Ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila tani udhëheq me Qeverinë, të cilët më 22 qershor 2020 e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të ish-presidentit Hashim Thaçi për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe të Komunës së Mitrovicës së Veriut për shkak të përhapjes së pandemisë.

Kërkesa asokohe ishte dorëzuar nga vetë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, pasi që sipas kësaj partie, përgjegjësia kushtetuese dhe ligjore e presidentit është caktimi i datës së zgjedhjeve në afatet e përcaktuara me ligj.

“Nga gjashtë shkurti i këtij viti, qytetarët e Komunës së Besianës vazhdojnë të privohen nga e drejta e tyre e përcaktuar me Kushtetutë për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre si Kryetar të Komunës, si dhe për të pasur qeverisjen lokale që e kanë zgjedhur përmes zgjedhjeve të lira, me justifikimin se ato rrezikojnë shëndetin publik”, kishte thënë LVV, përcjell Demokracia.com.

Si parashtrues të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, lënda KO 98/20, Hajrulla Çeku dhe 29 deputetë të tjerë pretendonin se me vendimet e Presidentit të Republikës së Kosovës [nr.52/20], të datës 14 mars 2020, për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës, Thaçi kishte bërë shkelje të paragrafit 4 të Nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], nenit 7 [Vlerat], nenit 123 [Parimet e përgjithshme], nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] dhe paragrafit 1 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe të nenit 21 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 3 të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkesa e tyre bazohej në nënparagrafin 1 të paragrafit 2 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës], 29 [Saktësimi i kërkesës] dhe 30 [Afatet] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Më 18 nëntor 2020, pasi që ish-presidenti Thaçi kishte dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur me shumicë votash që çështja kishte mbetur pa objekt shqyrtimi dhe e kishte hequr kërkesën e deputetëve të LVV-së nga lista në përputhje me rregullin 35 (4) të Rregullores së Punës. /Demokracia.com/

Të ngjashme