Lajme
Presidentja Osmani hesht, Sami Kurteshi edhe pas ngritjes së aktakuzës vazhdon të jetë anëtar i KQZ-së
Demokracia
20:34 | 21 Prill 2022

Share:

Edhe 21 ditë pasi u bë publike ngritja e një aktakuzë nga Prokuroria e Prishtinës për sulm fizik, Sami Kurteshi vazhdon të jetë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Me sulmin ndaj një punëtori të KQZ-së, Sami Kurteshi ka dëmtuar rëndë integritetin e këtij institucioni, shkruan Demokracia.com. Por, kjo si duket nuk po i bën fare përshtypje presidentes Osmani, e cila ka bazë të mjaftueshme ligjore për ta zëvendësuar atë.

Edhe në Ligjin për Zgjedhjet, në nenit 61, thuhet se anëtari i KQZ-së që sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së, mandati i tij mund të ndërpritet nga Presidenti i Kosovës me efekt të menjëhershëm.

“Anëtari sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”, thuhet në pikën (d) të nenit 61.5 të Ligjit për Zgjedhjet, raporton Demokracia.com.

Nëse presidenti mendon që një i emëruar nuk është i përshtatshëm të jetë anëtar i KQZ-së, sipas këtij ligji, ai mban konsultime dhe kërkon nga organizata emëruese që të nominojë një kandidat të ri.

“Nëse organizata emëruese në fjalë nuk e cakton një person të përshtatshëm për të qenë anëtar i KQZ-së brenda katërmbëdhjetë (14) ditëve prej kërkesës së tillë, Presidenti ka liri veprimi që ta zgjedhë dhe emërojë një person të përshtatshëm për ta plotësuar postin e lirë”, thuhet në këtë ligj.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentes, por nuk ka marrë ndonjë qëndrim lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, më 31 mars të këtij viti, Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi. Aktakuza rëndon ndaj tij për vepër penale të sulmit dhe lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë se Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Po, aktakuza është ngritur më 20.12.2021 për vepër penale të sulmit”, ka thënë Ulaj.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, më 25 gusht të vitit të kaluar e kishte sulmuar fizikisht një nëpunës civil të KQZ-së.

Sulmi i Kurteshit ndaj zyrtarit të KQZ-së, me iniciale A.B., ndodhi në korridorin e objektit ku është i vendosur ky institucion. /Demorkacia.com/ 

 

Të ngjashme