Lajme
Presidentja Osmani: Ambasada më njoftoi se 10 udhëtarë kanë vdekur, shumë të tjerë janë lënduar
Demokracia
11:00 | 25 Korrik 2021

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është në kontakt me Ambasadën në Zagreb të cilët shtoi se i kanë konfirmuar se dhjetë udhëtarë kanë vdekur në mëngjesin e sotëm në Kroaci, ndërsa shumë të tjerë janë lënduar.

Reagimi i presidentes vjen pas aksidentit që ndodhi sot në Kroaci, ku një autobus me targa të Kosovës që po udhëtonte nga Gjermania, doli nga rruga, përcjell Demokracia.com.

“Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, tha ajo në Facebook.

Postimi i plotë:

Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë.

Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar.

Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.

Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik./Demokracia.com/

https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/362209765263569

Të ngjashme