Lajme
Presidentja e PE-së thotë se ka shpresë në orët e ardhshme për heqjen e vizave për Kosovën
Demokracia
17:13 | 23 Qershor 2022

Share:

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka përsëritur qëndrimin e saj se duhet të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, derisa theksoi se edhe qytetarëve të Kosovës duhet t’u liberalizohen vizat.

Në një konferencë për media, pikërisht në kohën kur po mbahet takimi i Këshillit Evropian, Metsola nga gazetarët është pyetur edhe në lidhje me integrimin e Ballkanit Perëndimor, përcjell Demokracia.com.

Metsola ka thënë se mund të ketë zhvillime të reja gjatë orëve të ardhshme, derisa mbledhja e Këshillit Evropian mund të zgjasë deri rreth orës 19:00.

“Unë mendoj se ka zhvillime, për të cilat mund të shpresojmë për në orët e ardhshme, ka qenë një temë që e kemi pasur me kryeministrat para pak minutash. E kuptoj frustrimin dhe ndjenjën që një shtet bën disa hapa përpara, por mbetet prapa. Pozicioni im këtë mëngjes ishte shumë i qartë, ne duam të shohim progres në negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, ka thënë ajo.

Metsola tutje ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, për të cilën Parlamenti Evropian ka dhënë dritën e gjelbër para katër viteve, përcjell Demokracia.com.

“Unë gjithashtu përmenda edhe qëndrimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, është vendi i vetëm në rajon që ende nuk është në këtë zonë”, tha ajo.

Punimet e mbledhjes së Këshillit Evropian kanë filluar në orën 15:30, ku po marrin pjesë krerët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.

Ndërkaq, me ftesë të Këshillit Evropian, presidentja e Parlamentit Evropian i adresohet këtij institucioni para fillimit të secilit takim, që të ndajë me ta pikëpamjet e eurodeputetëve, përcjell Demokracia.com.

Ajo që dihet deri më tani, siç u pa edhe në agjendën e publikuar para disa ditëve, është se Këshilli Evropian pritet që të vendosë për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk ndodhet në agjendën e këtyre punimeve, megjithatë mund të trajtohet në kuadër të pikës për “çështje të politikës së jashtme”.

Në orën 19:30, pritet që në kuadër të mbledhjes së Këshillit Evropian të organizohet një darkë pune, ndërkaq është paralajmëruar edhe një konferencë për media, por që nuk dihet ora se kur do të mbahet./Demokracia.com/

Të ngjashme