Presidenti kroat Zoran Milanoviq, ka dëshmuar edhe njëherë orientimin e tij kundër Perëndimit.
Në një konferencë për media, sot në Zagreb, ai foli për situatën në Bosnjë-Hercegovinë dhe për atë në Ukrainë.
Sipas tij, kushdo që nga Kroacia voton në Këshillin e BE-së për sanksione ndaj Milorad Dodikut, anëtarit serb të Presidencës së Bosnjës, për të është tradhtar.
Ai mendon se në Bosnjë ka zyrtarë shumë më problematik që meritojnë sanksione para se ato t’i vihen Dodikut.
Dodik është kërcënuar nga Perëndimi me sanksione nëse vazhdon të punojë për pavarësimin e Republika Srpskas nga pjesa tjetër e vendit.
Ndaj tij, SHBA-ja ka vënë sanksione, por jo edhe BE-ja.
Milanoviq gjatë ditë së sotme, po ashtu tha se në rast të një lufte NATO-Rusi, Kroacia do të tërhiqte ushtarët e saj. Sipas tij, Ukraina është shtet i korruptuar dhe nuk e ka vendin në NATO.
Milanoviq është i njohur për qëndrimet e tij, që shpesh nuk janë në linjë me ato të Qeverisë së vendit të tij.