Lajme
Presidenti i Venezuelës thotë se mafia shqiptare në Ekuador po punon për sabotimin e zgjedhjeve
Demokracia
19:17 | 20 Maj 2025

Share:

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili bëri betimin për një mandat të tretë pas rizgjedhjes së kontestuar në korrik të vitit 2024, akuzoi këtë të hënë mafian shqiptare në Ekuador se është e përfshirë në një plan për të “sabotuar” zgjedhjet rajonale dhe legjislative që do të mbahen të dielën e ardhshme në këtë vend të Karaibeve.

“Janë arrestuar tashmë 38 mercenarë të rinj. Mafia shqiptare që kontrollon Ekuadorin ka dërguar disa nga mercenarët e saj të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. Janë kapur – mafia shqiptare (…) i kemi në dorë. U janë kapur tre telefona dhe kanë filluar të flasin”, deklaroi presidenti gjatë një takimi me drejtuesit e lartë të ushtrisë, i transmetuar nga televizioni shtetëror Venezolana de Television (VTV).

Maduro tha se mafia shqiptare kishte dërguar mercenarët në Venezuelë pas një vizite që sipas tij ndodhi në prill në Ekuador nga biznesmeni dhe ish-ushtaraku amerikan Erik Prince, themelues i kompanisë private ushtarake Blackwater (tani e quajtur Academi), i cili i kishte ofruar qeverisë së presidentit ekuadorian Daniel Noboa trajnime në fushën e sigurisë për Policinë dhe Forcat e Armatosura.

“Nëse është Erik Prince, është edhe perandoria amerikane pas kësaj”, shtoi Maduro.

Ai theksoi se, përballë atyre që kërkojnë “dhunë, sabotime, shpërthime dhe plumba”, qytetarët duhet të votojnë të dielën për “paqen, stabilitetin dhe si një shembull të sovranitetit kombëtar përballë mafies së narkotrafikut ekuadorian, shqiptar, kolumbian dhe imperialist”.

Po këtë të hënë, ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, denoncoi ekzistencën e një plani për “sulme” ndaj ambasadave në vend, që sipas tij është hartuar nga “grupe të përkushtuara për të nxitur dhunë”, me qëllim “sabotimin” e zgjedhjeve rajonale dhe parlamentare.

Cabello deklaroi se “ambasadat e akredituara në Venezuelë” ishin shënjestra kryesore për sulme me eksplozivë, me synimin për të krijuar jehonë ndërkombëtare, dhe se pas tyre do të ishin në shënjestër komisariate policie, spitale, qendra shëndetësore, stacione karburanti dhe nënstacione elektrike.

Ai shtoi, në deklaratat e transmetuara nga VTV, se plani përfshinte edhe atentate ndaj figurave publike, si nga radhët e qeverisë (chavizmit), ashtu edhe të opozitës – veçanërisht ndaj kandidatëve opozitarë në zgjedhjet e kësaj të diele.

Sipas tij, deri tani janë arrestuar 38 persona, përfshirë 17 të huaj, të lidhur me grupe mafioze të dhunës, terrorizmit dhe konspiracionit, të cilët kanë hyrë në Venezuelë përmes kufirit tokësor me Kolumbinë ose me fluturime nga vendi fqinj.

Cabello bëri gjithashtu të ditur se është arrestuar një shtetas me origjinë shqiptare dhe nënshtetësi kolumbiane, i cili kërkohej si trafikant ndërkombëtar droge dhe që kishte rezervuar dhe paguar një hotel në Karakas, me pagesë të kryer nga Shtetet e Bashkuara.

Ministri përmendi gjithashtu se pas këtij plani qëndron liderja opozitare Maria Corina Machado, ndërsa krahu operativ është Ish-komisari i Policisë Metropolitane të Karakasit, Ivan Simonovis. /ReportTV

Të ngjashme