Lajme
Presidenti i Tajvanit thotë se vendi i tij përballet me një kërcënim të ngjashëm për Evropën para Luftës së Dytë Botërore
Demokracia
16:06 | 08 Maj 2025

Share:

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, e ka krahasuar kombin e tij me vendet evropiane që po shkonin drejt konfliktit me Gjermaninë naziste në vitet 1930, në një fjalim të fuqishëm që përkujtonte fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

“Tetëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës evropiane, mesazhi i historisë është i qartë. Sot, 80 vjet më vonë, ne ndajmë të njëjtat vlera dhe përballemi me sfida të ngjashme si shumë nga demokracitë që morën pjesë në luftën evropiane”, tha Lai para një grupi personalitetesh të huaja të mbledhura në Taipei, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Fjalimi i Lai vjen në një kohë kur Tajvani po përballet me presion ushtarak në rritje nga Kina.

Kjo është hera e parë që Tajvani ka përkujtuar zyrtarisht fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Konflikti është një temë e mprehtë në marrëdhëniet “ndër-ngushticë”.

Në një “referencë të fshehur” ndaj Kinës, Lai u bëri thirrje “njerëzve dhe vendeve që duan lirinë” të punojnë së bashku për të luftuar regjimet autoritare.

“Tajvani dhe Evropa po përballen së bashku me kërcënimin e një grupi të ri totalitar”, tha Lai.

“Përvoja e hidhur e Luftës së Dytë Botërore na tregon se ‘ledhatimi’ vetëm sa do t’i bëjë pushtuesit më lakmitarë dhe do t’u zgjerojë ambiciet”.

Lai po e drejton Tajvanin përmes një momenti të tensionuar gjeopolitik.

Ishulli vetëqeverisës pretendohet nga Kina, e cila është zotuar ta aneksojë atë me përdorimin e forcës nëse është e nevojshme.

Të ngjashme