Lajme
​Presidenti i ri i Malit të Zi zotohet për përmirësimin e marrëdhënieve me rajonin
Demokracia
16:05 | 20 Maj 2023

Share:

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq bëri sot betimin në Kuvend, duke marrë zyrtarisht detyrën e presidentit. Ai tha se procesi i Berlinit për vendin e tij mbetet ura kryesore ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Brukselit, por gjithashtu mund të edhe nismat ekonomike rajonale. Millatoviq shtoi se anëtarësimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se afrimi i rajonit tonë drejt BE-së, është ilaçi më i mirë kundër rishpikjes së politikave destruktive të së shkuarës.

Millatoviq e bëri betimin në inaugurim para deputetëve dhe mysafirëve të shumtë. Në mesin e të ftuarve janë liderët e vendeve të rajonit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, si dhe anëtarët e presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq dhe Zheljko Komshiq. Në inaugurim po ashtu kanë marrë pjesë përfaqësues të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore dhe të trupit diplomatik në Mal të Zi, si dhe ish-presidentë të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit. Aty u panë edhe të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Stuart Peach.

Millatoviq tha se nuk duhet dhe nuk do të ketë asnjë devijim nga drejtimet dhe angazhimet e tyre strategjike, të cilat përfshijnë Malin e Zi, si pjesë të familjes euroatlantike.

Ai tha se Mali i Zi do të vazhdojë të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt përmbushjes së angazhimeve kryesore të jashtme politike dhe strategjike. Jabllanivq theksoi se njëri prej tyre tash më është arritur, pasi Mali i Zi është një anëtar i përgjegjshëm dhe i besueshëm i NATO-s.

“Prioritet i të gjitha prioriteteve do të jetë përshpejtimi i rrugës së Malit të Zi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, ne jemi të vetëdijshëm se në atë rrugë janë të shumta obligimet që duhet t’i përmbushim, për të cilat vlerësoj se Mali i Zi ka të nevojshme kapacitetet dhe forcat për t’u përballur me to, gjithashtu sot me siguri mund të them se Mali i Zi ka vullnetin politik për ta arritur këtë qëllim. Nuk na bëjnë më lajka titujt boshe të liderëve në integrimet evropiane në Ballkanin Perëndimor, hapja korrekte e kapitujve të negociatave duke pranuar një metodologji të re, përafrim të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me një mbështetje jashtëzakonisht të lartë publike, Mali i Zi pozicionohet si më i avancuari në procesin e sipërpërmendur. Por sot, pas më shumë se një dekade negociatash, sytë tanë janë te anëtarësimi si synim përfundimtar, në atë rrugë jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjitha aktivitetet e nevojshme për të përfunduar me sukses reformën dhe proceset e tjera të nevojshme të transformimit të shoqërisë malazeze”, tha ai.

Sipas tij, Mali i Zi i përket Evropës e cila është e bashkuar në diversitetin e saj. Ai përmendi Procesin e Berlinit si urë kryesore e vendeve tona me BE-në, por nuk përjashtoi as nismat ekonomike rajonale.

“E vetmja rrugë për një shtet ligjor të rregulluar dhe një standard evropian të jetesës është rruga e integrimit evropian. Si president i vendit, unë do të kontribuoj në përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon, miratimi i sistemit evropian të vlerave dhe afrimi i rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është ilaçi më i mirë kundër rishpikjes së politikave destruktive të së shkuarës. Procesi i Berlinit për ne mbetet ura kryesore ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Brukselit, rivitalizimi i të cilit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, para së gjithash në kontekstin e një konfirmimi të ri dhe shtesë të pranisë së Bashkimit Evropian në rajonin tonë. Por jam gjithashtu i mendimit që të gjitha nismat ekonomike ekzistuese ,si dhe të reja rajonale që synojnë bashkëpunim më të ngushtë brenda rajonit tonë mund të ketë… Të nderuar mysafirë të huaj, kryetarë shtetesh dhe qeverish, imazhi i pranisë tuaj sot këtu në Kuvendin e Malit të Zi është mesazhi më i mirë i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, respektit të ndërsjellët dhe pjekurisë përfundimtare demokratike të rajonit tonë”, tha ai.

Jakov Milatoviq shtoi se eliminimi i ndarjeve të brendshme, ndërtimi i institucioneve të forta dhe të pavarura, afirmimi i të drejtave të njeriut, shpërndarja e paanshme e drejtësisë, shoqëri e mundësive të barabarta, si dhe krijimi i një modeli të qëndrueshëm ekonomik, pasi do të kërkojnë angazhimin e plotë si të vendimmarrësve, ashtu edhe të atyre që janë të detyruar t’i zbatojnë ato vendime.

Ndërkohë, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka uruar presidentin e ri të këtij vendi, Jakov Milatoviq, i cili sot zyrtarisht është betuar dhe ka marrë detyrën. Ai ka shkruar se kjo është ditë historike për Malin e Zi.

Abazoviq ka shkruar në Facebook se kjo është ajo për të cilën ata kanë luftuar.

“Kuvendi i Malit të Zi kurrë më i bukur. I gjithë rajoni, si dhe mysafirë nga Evropa dhe e gjithë bota, u mblodhën në një vend. Mali i Zi dërgon një mesazh shumë të bukur. Ëndrra jonë politike është realizuar. Me guxim – Mali i Zi në rrugën e duhur”, ai.

Të ngjashme