Lajme
Presidenti i Letonisë vjen në Kosovë, Prindon Sadriun e marrin për drekë
Demokracia
13:38 | 21 Prill 2022

Share:

Kosovën pritet të premten që ta vizitojë Presidenti i Letonisë, Eglis Levitis, bashkë me një delegacion nga ky shtet.

Demokracia.com ka mësuar se presidenti letonez do të pritet me ceremoni nga presidentja Vjosa Osmani.

Nga ora 10:30, pritet që të fillojë takimi zyrtar mes Osmanit dhe Levitis, ndërsa mediat do të lejohen të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.

Demokracia.com ka mësuar se delegacioni nga Republika e Letonisë do të përbëhet edhe nga ambasadorja e Letonisë në Kosovë, Gunta Pastore, shefi i Mbrojtjes së Letonisë, Leonids Kalnins, shefi i kancelarisë së presidentit të Letonisë, Andris Teikmanis, këshilltarja e jashtme e presidentit, Solveiga Silkalna, këshilltari për siguri kombëtare, Janis Kazocins, këshilltarja për marrëdhënie me publikun, Aiva Rozenberga dhe zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Kristine Rigerte.

Presidenti i Letonisë, përveç Osmanit pritet që të premten nga ora 12:15 të takohet edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe nga ora 12:50 me kryeministrin Albin Kurti.

Osmani nga ora 13:50 do të shtrojë drekë në nderim të presidentit Levits, ku i pranishëm do të jetë edhe Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, si dhe disa zyrtarë të tjerë, raporton Demokracia.com.

Më vonë, nga ora 15:00, Presidenti i Letonisë do ta takojë edhe komandantin e KFOR-it dhe trupat e Letonisë që veprojnë në kuadër të këtij misioni në Kosovë.

Vizita e tij pritet të vazhdojë deri në orën 17:50, kur edhe parashihet që të largohet nga Kosova./Demokracia.com/

Të ngjashme