Lajme
Presidenti i Këshillit Evropian: Putini duhet të mposhtet
Demokracia
14:00 | 23 Mars 2022

Share:

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë dhënë CNN-it të mërkurën, ka thënë se synimi i përbashkët i të gjithëve duhet të jetë që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të mposhtet.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten do t’i adresohet Këshillit Evropian.

“Duhet të sigurohemi që Putini të mposhtet. Ky duhet të jetë qëllimi ynë i përbashkët. Është çështje e sigurisë, bëhet fjalë për të ardhmen e Evropës dhe botës”, tha Michel.

Michel ka treguar se ka folur me Zelenskyn dhe presidentin e Rusisë shumë herë që nga pushtimi rus i Ukrainës i cili nisi më 24 shkurt, duke shpresuar se do të arrihet një armëpushim.

“Është shumë e vështirë, pasi nuk jemi të sigurt se sa e sinqertë është Qeveria e Rusisë. Ne nuk jemi naiv, mendoj se ata po tentojnë të sulmojnë ushtarakisht për të forcuar pozitën e tyre në negociata. Por, në anën tjetër, duhet të ndryshojmë balancën e fuqisë që t’i japim presidentit Zelensky një pozitë më të mirë në bisedime direkte me Rusinë”, tha Michel.

Takimi i Këshillit Evropian është paraparë të mbahet më 24 dhe 25 mars, ndërsa Ukraina do të jetë në krye të agjendës. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka konfirmuar se do të marrë pjesë të enjten për të diskutuar çështjen e Ukrainës dhe bashkëpunimin transatlantik.

“Ne kemi marrë sanksione të paprecedent. Jemi duke shënjestruar oligarkët, jemi duke shënjestruar sektorët ekonomikë në Rusi”, tha Michel. “Mirëpo, ne nuk kemi situata të ngjashme në Evropë dhe SHBA. Si shembull sektori i naftës apo gazit. Ne jemi shumë më të varur në Evropë krahasuar me SHBA-në. Për këtë arsye duhet të jemi inteligjent. Synimi është të shënjestrojmë Rusinë, synimi është të jetë e dhimbshme kundër Rusisë. Synimi nuk është që të jetë e dhimbshme për ne”.

Michel ka pranuar se shtetet e BE-së janë tepër të varura nga gazi rus.

Të ngjashme