Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, tha të shtunën se kishte ardhur koha për veprim mbi konfliktin në Gaza dhe jo për bisedime.
Kjo ndërsa ai po shkonte në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në një samit mbi luftën midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit.
“Gaza nuk është një arenë për fjalë. Duhet të jetë për veprim”, tha Raisi në aeroportin e Teheranit përpara se të nisej për në samitin e kombeve arabe dhe islamike në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad.
“Sot, uniteti i vendeve islamike është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai.
Kjo është vizita e parë në Arabinë Saudite nga një kreu i shtetit iranian që kur Teherani dhe Riadi i dhanë fund armiqësisë së viteve nën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kina në mars.
“Samiti do t’u dërgojë një mesazh të fortë luftënxitësve në rajon dhe do të rezultojë në ndërprerjen e krimeve të luftës në Palestinë”, tha ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, i cili po shoqëron Raisin.
Por këto deklarata nuk janë në përputhje me veprimet e Amerikës, tha Raisi në komentet televizive në aeroportin e Teheranit.
“Makina e luftës në Gaza është në duart e Amerikës, e cila po pengon një armëpushim në Gaza dhe po zgjeron luftën. Bota duhet të shohë fytyrën e vërtetë të Amerikës”.