Sport
Presidenti i FFK-së në Ditën e Pavarësisë: Sporti në këto 13 vjet ishte ambasadori më i mirë i shtetit tonë
Demokracia
12:06 | 17 Shkurt 2021

Share:

Kosova sot po e feston Ditën e Pavarësisë së saj. Në këto 13 vjet shtet, vendi ynë ka shënuar të arritura të mëdha, por sigurisht që është përballur edhe me momente shumë të vështira, shkruan Demokracia.com.

Sivjet sporti ynë po përballet me një situatë të jashtëzakonshme, pandeminë koronavirus që e  ka pushuar botën dhe vazhdon të sjellë shumë telashe.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në këtë ditë të bekuar për vendin tonë ka ardhur me një urim të veçantë, derisa ka thënë se sporti në këto 13 vjet është dëshmuar si ambasadori më i mirë i shtetit. E futbolli në këtë drejtim ka bërë shumë, pasi paraqitjet e suksesshme të Kombëtares tonë në të gjitha kategoritë e bënë botën të flas për ne.

Mesazhi i presidentit Agim Ademi

Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore,

Familje të heronjve e të dëshmorëve,

Invalidë e veteranë të luftës;

Të nderuar futbollistë e futbolliste, drejtues të klubeve, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

17 Shkurti është data më e rëndësishme e historisë sonë të re.

Sot, Kosova feston 13 vjetorin e Pavarësisë, një ditë kjo sa e veçantë po aq e lavdishme dhe emocionuese.

Gjatë këtij rrugëtimi 13-vjeçar kemi bërë përparime të dukshme në çdo sferë të jetës, por kemi ende shumëçka për të bërë.

Për këtë ditë të madhe populli ynë kaloi nëpër shumë peripeci e sakrifica, prandaj çdo herë në ditë të tilla si kjo duhet të kujtojmë me krenari të gjithë ata që kontribuuan dhe i shërbyen atdheut nëpër dekada.

Sporti në këto 13 vjet është dëshmuar si ambasadori më i mirë i shtetit. E futbolli në këtë drejtim ka bërë shumë, pasi paraqitjet e suksesshme të Kombëtares tonë në të gjitha kategoritë, por edhe kultura e lartë sportive dhe kreativiteti i tifozëve tanë Dardanët kanë bërë që shteti ynë të promovohet në mënyrën më të mirë të mundshme kudo në botë.

Besoj fuqishëm se edhe gjatë këtij viti të arriturat e shtetit tonë nuk do të mungojnë, jo vetëm në sport por në çdo sferë tjetër.

Uroj që sa më parë ta tejkalojmë sfidën e madhe me pandeminë Covid-19 dhe t’i rikthehemi jetës normale, duke punuar secili prej nesh në profesionin e tij me kapacitete të plota në forcimin e shtetit tonë.

Gjithashtu, uroj që festat e ardhshme t’i kremtojmë me suksese të reja.

E gëzofshim për jetë e mot 17 Shkurtin!

Zoti e bekoftë Pavarësinë e Kosovës,

Zoti e bekoftë popullin e Kosovës. /Demokracia.com

 

Të ngjashme