Lajme
Presidenti Biden: Demokracia është rruga përpara
Demokracia
18:00 | 19 Shkurt 2021

Share:

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, në paraqitjen e tij të parë të madhe në skenën globale, duke u drejtuar në mënyrë virtuale “Konferencës së Sigurisë së Mynihut”, u zotua se Shtetet e Bashkuara do të jenë lojtar multilateral në botë, në kontrast të plotë me politikën “Amerika së pari” të ish-Presidentit Trump.

Në vijë të njëjtë të theksimit të dallimit mes dy administratave, Presidenti Biden u zotua se Shtetet e Bashkuara do të punojnë të promovojnë demokracitë e të kundërshtojnë autokracitë, transmeton Demokracia.com.

Presidenti Biden u shpreh se janë në momentet kur është duke u zhvilluar “debat fondamental” për drejtimin “kah po shkon bota” dhe u shpreh se “demokracia është qenësore për t’u përballur me sfidat” që ka bota përpara.

Demokracitë, e jo autokracitë, janë rruga më e mirë përpara për botën, ishte mesazhi i Presidentit Biden.

“Duhet të tregojmë se demokracitë ende mund të sjellin të mira për popujt tonë. Ky është misioni ynë”, u shpreh Presidenti Biden. “Demokracia nuk ndodh vetvetiu. Ne duhet ta mbrojmë atë. To forcojmë atë. Ta ringjallim atë. Duhet të dëshmojmë se modeli ynë nuk është vetëm një relikte e historisë sonë”, u shpreh Presidenti Biden.

“Partneriteti ynë ka qëndruar dhe është rritur këto vite për shkak se është i rrënjosur në pasurinë e vlerave tona të përbashkëta demokratike”, u shpreh Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shtoi se “këto (vlera) janë të ndërtuara mbi vizionin për një të ardhme ku çdo zë ka peshë”, tha ai, transmeton Demokracia.com.

Në paraqitjen e tij, Presidenti Biden njoftoi edhe se ka ndarë 4 miliardë dollarë për të ndihmuar angazhimin global për të siguruar vaksinën kundër koronavirusit; ri-kthimin e Shteteve të Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit për mbrojtjen e ambientit si dhe masat për shpenzimin e kati 2 trilionë dollarëve për të ndihmuar rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane dhe asaj globale.

Presidenti Biden foli edhe për Rusinë dhe Kinën, për proliferimin bërthamor dhe sfidat kibernetike si dhe nevojën për të mbrojtur ambientin.

Presidenti Biden e mbajti fjalimin e tij në kuadër të Konferencës së Sigurisë të Mynihut, konferencë e përvitshme që bën bashkë liderët kryesorë të botës. Vitin e kaluar, në të njëjtën konferencë, Presidenti Biden pat takuar edhe Presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit i pat shprehur përkrahjen e tij për Kosovën./Demokracia.com/

Të ngjashme