Sport
Presidenti Ademi mori pjesë në takimin e krerëve të federatave me Infantinon para ndeshjes finale
Demokracia
20:42 | 11 Shkurt 2021

Share:

Presidenti i FFK-së Agim Ademi, sot, ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino me presidentët e konfederatave dhe federatave kombëtare në Doha të Katarit.

Takimi u mbajt në prag të ndeshjes finale të Kupës së Botës për klube ndërmjet skuadrës gjermane Bayern Munich dhe skuadrës meksikane, Tigres UANL.

“Në këtë takim, presidenti i FIFA-s u shpreh i lumtur që pas një kohe të gjatë u bënë sërish të gjithë bashkë në eventin e parë pas pandemisë.

Numri një i FIFA-s theksoi gatishmërinë e institucionit që drejton për t’i qëndruar gjithmonë afër konfederatave dhe federatave anëtare të saj në këtë kohë të vështirë, pasi siç theksoi janë vetë këto federata ato që e përbëjnë shtëpinë e futbollit botëror – FIFA”, thuhet në njoftimin e FFK-së, transmeton Demokracia.com.

Infantino i falënderoi drejtuesit e të gjitha federatave për pjesëmarrjen në këtë event. Ndërkohë, edhe presidenti Agim Ademi në takimin që kishte me presidentin e FIFA-s u shpreh falënderues për mbështetjen që ka bërë ky institucion për FFK-në, teksa uroi që sa më parë ta kalojmë këtë sfidë të vështirë globale me pandeminë dhe futbollit t’i kthehen tifozët në stadiume për t’i dhënë magjinë e vërtetë. Gjatë qëndrimit në Doha, presidenti Ademi ka bashkëbiseduar edhe me homologë nga federatat tjera, ku janë shkëmbyer përvojat e ndryshme dhe veçmas ato në menaxhimin e pandemisë Covid-19. /Demokracia.com

Të ngjashme