Lajme
Presidenca ia jep mbi 6 mijë euro për shërbime postare një kompanie që merret edhe me pastrim kimik e bagëti
Demokracia
19:05 | 30 Maj 2022

Share:

Presidenca e Kosovës ka nënshkruar kontratë për shërbime emergjente postare për nevojat e këtij institucioni.

Sipas tenderit të publikuar në Prokurimin Publik, kontratën e ka fituar kompania A.L. Dushi SH.P.K.

Kjo kompani do të përfitojë 6 mijë e 500 euro për këtë kontratë, vlera e së cilës ishte parashikuar për 9 mijë e 900 euro, raporton Demokracia.com.

Sipas dosjes së tenderit, kompania që e ka fituar këtë tender do të bëjë dërgesat e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë, Amerikë, Kanada, Azi dhe Afrikë.

“Shërbime postare emergjente për nevojat e ZPRK-së. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0-0.5 kg, sasia 100. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Evropë për 0.6 -1 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë – Kanada për 0-0.5 kg, sasia 80. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Amerikë-Kanada për 0.6 -1 kg, sasia 10. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0-0.5 kg, sasia 20. Dërgesa e dokumenteve apo materialeve tjera për Azi – Afrikë për 0.6 -1 kg, sasia 8”, thuhet në dosje.

Pronare e kësaj kompanie është Xhylizare Selimi-Dushi, e cila përveç këtij biznesi posedon edhe shumë biznese të tjera.

Siç figuron në ARBK, biznesi me të cilin e ka fituar këtë tender, si veprimtari sekondare ka larjen (pastrim kimik) dhe tharjen e tekstileve dhe produkteve të gëzofit, ndërsa si veprimtari të tjera ka edhe rritjen e gjedheve për qumësht, rritjen e deleve dhe dhive, si dhe rritjen e kafshëve të tjera.

Nëse hulumtohet në rrjetet sociale për kompaninë fituese të tenderit nga Presidenca, del që A.L.Dushi SHPK rëndësi të madhe i jep pastrimit kimik. Aty nuk mund të gjendet diçka që ka të bëjë me shërbime postare.

“A.L.Dushi Pastrim Kimik & Lavanderi”, profili në Facebook, shfaq postime për larjen dhe pastrimin e rrobave, derisa aty shfaqet edhe pronarja Xhylizare Selimi-Dushi. Pronarja e A.L.Dushi SHPK flet për rëndësinë e pastrimit kimik në një publikim të bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), bankë kjo që e ka ndihmuar kompaninë e saj.

Sipas tenderit të publikuar në KRPP, kontrata është valide për 24 muaj. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme