Lajme
Presidenca demanton lajmet se Kosova ka dërguar mercenarë në Donbass
Demokracia
18:07 | 18 Shkurt 2022

Share:

Presidenca e Kosovës i ka demantuar deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov i cili tha se militantë nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, janë dërguar në Donbass, krahinë kjo e Ukrainës e ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

Shefi i stafit të presidencës, Blerim Vela, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, tha se këto lajme janë pjesë e fushatës dezinformuese, përcjell Demokracia.com.

“Alarm për lajmet e rreme. Akuza e rreme e ministrit rus të Punëve të Jashtme Lavrov se Kosova ka siguruar mercenarë në Donbass është pjesë e fushatës të dezinformatave që kërkon të arsyetojnë agresionin ushtarak kundër Ukrainës. Kosova qëndron me aleatët e saj dhe Ukrainën në mbrojtje të lirisë e demokracisë”, shkruan Vela.

Ky reagim vjen pas deklaratës së Lavrov, i cili pretendoi se militantë nga vende të ndryshme të Ballkanit po rekrutohen për çorientimin e Rusisë.

“Ka informacione se militantë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina po rekrutohen për të çorientuar Rusinë, që përfshin dërgimin e tyre në Donbass [në Ukrainën lindore]. Ne po punojmë për ta verifikuar këtë tani”, ka thënë Lavorv./Demokracia.com/

Të ngjashme