Ndërsa shumë institucione publike ankohen për mungesë buxheti për shërbime bazike, Zyra e Presidences ka vendosur t’i mbajë korridoret me aromë trëndafili. Për 24 muajt e ardhshëm, kjo zyrë do të furnizohet me lule të freskëta, kurora e buqeta luksoze, përmes një kontrate në vlerë prej 11,500 euro, shkruan Demokracia.com.
Zyra e Presidences po meton të lidhë një kontratë dyvjeçare me kompaninë D.P.T. “Lulishtja Labi” për furnizim me lule të freskëta dhe dekorime floristike, në vlerë të përgjithshme prej 11,500 euro, me një çmim për njësi prej 251.25 euro.
Po, 251 euro për një ikiban apo buqetë nuk janë pak sidomos kur bëhet fjalë për një institucion publik që operon me para të taksapaguesve.
Sipas specifikimeve teknike të kontratës, për këtë shumë, do të blihen produkte të ndryshme floristike si: ikibana të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj me lule të freskëta, buqeta në tri madhësi, si dhe kurora për ceremoni mortore, të gjitha të detajuara në mënyrë rigoroze – numri i trëndafilave, diametri i kokës së lules, sasia e gjelbërimeve si gjethe ruskus apo kostarika, pjata plastike, sfungjeri ujëmbajtës dhe mbështjellje me letër apo celofan.
Përveç tyre, kontrata përfshin edhe furnizimin me lule të gjalla dekorative si: Nolina (120 cm), Begonia (20 cm), Diffenbachia (40 cm), Croton Petra (30 cm), dhe Spathiphyllum (40 cm) – të gjitha të pajisura me vazo prej porcelani, që ngrenë edhe më shumë çmimin për njësi. Lista përmbyllet me lule sezonale të tipit Petunia, por pa specifikuar sasinë. /Demokracia.com/