Lajme
Premtonte ushtri të fortë e me shërbim ushtarak, por Kurti po përfundon mandatin duke i lënë ushtarët pa ushqim dhe të demoralizuar
Demokracia
21:46 | 14 Tetor 2024

Share:

“Me qeverinë tonë ushtrinë e kemi më të fortë e më të përgatitur”.

Kështu shkruante Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23 mars 2024 në Facebook, duke bërë një bilanc të punës së tij 3 vjeçare në pozitën e tij si drejtues i Qeverisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Por, vetëm disa muaj më vonë, ushtria e Kosovës është përballur me një realitet tjetër, atë të ballafaqimit me mungesën e furnizimit me ushqimin e përditshëm.

Tenderi për furnizimin me ushqim ka dështuar për shkak të parregullësive. Sipas raportimeve të mediave, pasuli dhe orizi, si pjesë kryesore e shujtës ditore të ushqimit për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ishte listuar si sekret shtetëror. Sipas raportimeve të medieve, ministri Maqedonci ka refuzuar që ta nënshkruajë një vendim të tillë, por kjo është bërë nga zëvendësi i tij, Shemsi Syla, i cili e ka shfrytëzuar mungesën e ministrit në Kosovë dhe e ka nënshkruar atë.

Pas kësaj, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur që të zhvillojë tender të mbyllur, duke përzgjedhur fituesit me vetëm disa oferta dhe jo një proces prokurimi të hapur, qoftë edhe për shkak të vlerës së madhe, mbi 10 milionë euro për tri vitet e ardhshme.

Lexo më shumë:

Komandant Jashari jep alarmin: Ushtria në krizë për bukë, do të ndërpresim të gjitha aktivitete

 

Dyshimet e mëdha për korrupsion edhe me ushqimin e ushtrisë së Kosovës në këtë fazë të ndërlikuar për sigurinë e përgjithshme globale, kanë hedhur hije të rënda mbi Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

DEMORALIZIMI I USHTARËVE

Skandali i madh që ka përfshirë Qeverinë Kurti për mungesën e ushqimit për FSK-në, përveç anës ligjore, do të ketë ndikime të mëdha në demoralizimin e ushtarëve.

Demotivimi i ushtarëve të Kosovës do të lë pasoja të mëdha në kapacitetet e tyre dhe në moralin e përgjithshëm, pasi për herë të parë në historinë e kësaj force, ushtarët janë braktisur nga drejtuesit politik të tyre për shkak të papërgjegjshmërisë.

Ballafaqimi i FSK-së me një situatë të tillë është krejt e kundërta e asaj që pritej nga partia në pushtet, Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti.

Më 3 shkurt të vitit 2020, Kurti kishte dhënë premtimin e madh se do të avanconte çështjen e ushtrisë së Kosovës, duke e bërë të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

“Me qeverisjen tonë shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-së. Do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak, ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tremujore, i cili do t’i ndihmojë FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes”, premtonte Kurti.

Lexo më shumë:

Vetëvendosje harron premtimin e Kurtit për shërbimin ushtarak, i gjuhen pasulit në Ministrinë e Mbrojtjes

2017 – KURTI FLISTE “ZI E TERR PËR FSK-në”, “NUK E PLOTËSON AS FIGURËN E NJË XHANDARMERIE, SE LËRE MË TË JETË USHTRI”

Më 11 shkurt të vitit 2017, në kohën kur Kuvendi i Kosovës pritej të ndryshonte kornizën ligjore dhe shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrinë e Kosovës, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte lëshuar deklarata të rënda kundër arritjeve të mëdha të FSK-së.

“Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk plotësojnë as figurën e një xhandarmërie se lëre më të jenë Ushtri”, deklaronte Kurti në një intervistë për Ora News në Tiranë. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

Video e Albin Kurtit në vitin 2017 duke folur “zi e terr për FSK-në” | “FSK-ja nuk plotëson as figurën e një xhandarmërie se lëre më të jetë Ushtri”

Të ngjashme