Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në klinikën e Radiologjisë, pacientët janë duke u përballur me pritje të listave deri në vitin 2024 për të kryer Rezonancën Magnetike.
Ani pse nuk kanë munguar premtime nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, se do të bëhet zgjidhje për zvogëlimin e listave të pritjeve, një gjë e tillë nuk po ndodhë.
Gjatë një konference për media me 11 gusht Kurti dhe Vitia patën njoftuar se kanë sjellur një akselerator të dytë (pajisje kjo e nevojshme për pacientët me tumor) duke shtuar se kjo do të zvogëlonte listën e pritjes për pacientët e sëmurë që marrin shërbim nga ky aparat.
“Shërbimi publik shëndetësor po zgjeron gamën diagnostike duke decentralizuar shërbimet, ofruar sa më afër qytetarit në spitalet regjionale dhe eliminuar listat e pritjes për shërbimet diagnostikuese me anë të Rezonancës Magnetike problem ky që ka përcjellë shërbimin publik me vite të tëra. Pas funksionalizimit të MRI- së në spitalin e Pejës muaj më parë, MRI – së në Spitalin e Pediatrisë këtë javë, pritet që edhe përgatitjet infrastrukturore për funksionalizimin e MRI- së në qytetin e Prizrenit të përfundojnë në vjeshtën e këtij viti”, kishte thënë Kurti.
Mirëpo përkundër kësaj, pacientët janë duke vazhduar të presin për termine deri në vitin 2024.
Pacientja M.B e cila i duhet të kryejë rezonancë magnetike të kokës, tha për Insajderin se po i duhet të pres terminin e caktuar deri më 9 shkurt të 2024.
Ajo shtoi se për ta kryer rezonancën magnetike të kokës është duke pritur që nga marsi i këtij viti.
“Unë prej marsit të këtij viti, ndërsa terminin për rezonance e kam me 09.02.2024, faktikisht 1 vjet me prit”, tha M.B për Insajderin.
Rezonanca Magnetike për personat e prekur me tumor mund të bëhet edhe në spitale private, por a kanë mundësi pacientët ta përballojnë një shërbim të tillë në aspektin financiar?
Për ta kryer Reconancën Magnetike pacientët e prekur me tumor, kanë mundësi edhe në klinika private. Sipas M.B e cila është duke pritur për ta kryer këtë procedurë në QKUK, tha se ka shikuar që ta bëjë në ndonjë spital privat, por çmimi është i lartë.
“Jo nuk e kam kry për besë se çmimi i lart, jam duke prit”, theksoi ajo për Insajderin.
Në QKUK që nga janari i këtij viti është njoftuar se në funksion janë dy Rezonanca Magnetike, të cilat thuhet se janë duke punuar me kapacitet të plotë.
Ndërsa në qershor të po këtij viti u njoftua nga Ministria e Shëndetësisë se në spitalin e pediatrisë në QKUK kanë filluar shërbimet e rezonancës magnetike.