Në vendin e tij të punës, kohën po e kalon në aplikacionin bankar në telefon.
Njësoj e premtja e 30 majit, po i gjen të gjithë pompistët e minierës së Kishnicës në ditën kur shënohet muaji i tretë pa paga.
Gjendja financiare e emocionale u është rënduar por edhe zhgënjimi me kryeshefin e Trepçës.
“Sot hyjmë në muajin e tretë pa rroga, u bë e vështirë se kemi familje, kemi kredi. S’po mundemi me qëndru kështu. Drejtori po na thotë jo të hënën, jo të martën. Një ditë ka për të na thënë edhe të dielën. Qe 40 vjet jam këtu, kështu s’ka ndodhë. Një organizatë jemi. Kryeshefit i them të ka llogarit të barabartë punëtorëve të tij, nëse s’jemi punëtor të tij le të na tregon, të punojmë privat diku”, ka thënë Sami Sopjani, pompist.
Të njëzëri janë edhe pompistë të tjerë të cilët janë kryefamiljar e pagën nga Trepça e kanë të vetmin burim të të ardhurave.
“Po na rrejnë për rroga, na kanë premtuar qe dy javë. Më duket se ky drejtori Faton Ahmeti ka lindur në ditën e gënjeshtrave se veç na ka gënjyer. Jemi bërë familjarë me juve gazetarët nonstop duke qenë në grevë. Edhe na mbajmë familje, s’po kemi pse shkojmë në shtëpi”, ka thënë Sadri Mehmeti, pompist.
“Banka po na thërret çdo ditë ta paguajmë kredinë, çka me thanë na? Shpresa na ka humb, u bo tepër:, ka thënë Muharrem Gashi, pompist.
Drejtori i Kishnicës, Fisnik Frangu i cili edhe vet nuk ka pranuar pagën ka deklaruar se përgjegjësia duhet të kërkohet tek kryeshefi dhe se nuk është në dijeni deri kur, mund të zgjasë kjo situatë.
Ndërsa për njohës të kësaj fushe, përgjegjëse mbetet qeveria në detyrë.
“Paaftësinë e shtetit duhet me e kthy në përkrahje financiare. Duhet me urgjencë të gjejë forma politike që këto kompani të jenë funksionale, shefa të mirfilltë dhe jo politik siç po i dërgon, treg që ka sa të dush dhe të sigzrojnë kompani qoftë me konsecion edhe nëse është me kohë të caktune. Është mundësi e jashtëzakonshme që edhe fabika të mëhershme të funksionalizohen ashtu që këto minerale, të përpunohen në Kosovë. Me ardh në këtë gjendje tregon mungesë vullneti, mungesë vendosshmërie që qeveria ta trajtoj seriotisht gjigandin që ka dhe ta kthejë në profit”, ka thënë Skender Krasniqi, kryetari i Dhomës së Tregtisë në Kosovës.
Siç ka ndodhur rëndom javëve të fundit, kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça” ka qenë i paqasshëm në telefon duke lënë kështu pezull pritjen e flotistëve të Kishnicës por edhe të minatorëve të Artanës./dukagjini.com