Lajme
Preket pavarësia e institucioneve të drejtësisë, presidentja Osmani hesht si mbrojtëse e Kushtetutës
Demokracia
18:38 | 24 Nëntor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e ka cenuar edhe pavarësinë e gjyqësorit. 

Gjykatat e Kosovës kanë shtyrë sot qindra seanca gjyqësore, por as kjo nuk e ka shtyrë presidenten Vjosa Osmani që ta thotë ndonjë fjalë për këtë vendim, me të cilin është prekur tërë sistemi i drejtësisë në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Shoqëria civile e njohës të sistemit të drejtësisë, Bashkimi Evropian dhe opozita e kanë vlerësuar si shkelje kushtetuese vendimin e Kurtit. Vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ata po e shohin si të kundërligjshëm dhe si diçka që mund t’i hapë mundësi korrupsionit në sistemin e drejtësisë. As kjo nuk ka bërë që presidentja si mbrojtëse e Kushtetutës të prish terezinë e saj, ndonëse në vazhdimësi flet sesi duhet të veprojmë që ta ruajmë e mbrojmë Kushtetutën.

Vetëm sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë shtyrë 150 seanca gjyqësore, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.

Në këtë shifër nuk janë përfshirë seancat gjyqësore që janë shtyrë në katër degët e kësaj gjykate, në Graçanicë, Podujevë, Lipjan dhe Drenas.

Kështu ka bërë të ditur Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë, numri i seancave të cilat janë shtyrë pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me numër KGJK.nr.445/22 të datës 24 nëntor 2022, është rreth 150 seanca. Në këtë shifër nuk janë të përfshirë degët e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Edhe zëdhënësi i gjykatës në Gjilan, Sabit Shkodra, ka thënë për Demokracia.com se janë duke e zbatuar vendimin e KGJK-së.

“Jemi duke e zbatuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), e cili ka listuar shërbimet esenciale që ofrohen nga data 24 Nëntor deri më datë 8 Dhjetor 2022”, ka thënë Shkodra për Demokracia.com.

Edhe në Gjykatën Themelore të Gjakovës, sipas zëdhënësit të kësaj gjykate Lekë Muqaj, janë shtyrë 22 seanca gjyqësore.

“Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë shtyrë 14 seanca gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec është shtyrë 1 seancë gjyqësore; në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë janë shtyrë 7 seanca gjyqësore”, tha Muqaj për Gazetën Express.

Tutje, Muqaj tha se Gjykata Themelore në Gjakovë është duke e respektuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku janë listuar shërbimet esenciale që do të kryhen nga Gjykatat e Kosovës nga sot 24 nëntor 2022 deri më 08 dhjetor 2022 si në vijim:

1. Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore;

2. Trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme;

3. Ekzekutimi i vendimeve penale;

4. Çështjet e dhunës në familje (të gjitha fushat);

5. Çështjet e sigurimit të kërkesë padisë (të gjitha fushat);

6. Përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacioni si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi I fëmijës;

7. Procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim (të gjitha fushat);

8. Të gjitha shërbimet administrative.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, gjatë një konference për media mbrëmë ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim të pezullojë bashkëpunimin me Qeverinë dhe të reduktohet puna e gjykatave.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë ditës ka ftuar prokurorët e gjyqtarët që të vazhdojnë punën dhe të mos veprojnë për interesa personale. Sipas saj, vendimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë antiligjor.

Gjykatat po ofrojnë vetëm shërbime esenciale, bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që do të zbatohet deri më 8 dhjetor./Demokracia.com/

Të ngjashme