Një intervistë kohëve të fundit e ndërmjetësit sllovak, Miroslav Lajçak, e ka prekur mu në nerv të keq dhe thellë kryeministrin kosovar, Albin Kurti, i cili draft-Statutit të pranuar të autonomisë serbe në Kosovë – me referencë Rezolutën 12/44 në Preambulë të saj dhe Arbitrazh – kërkon edhe që t’i vendoset edhe firma nga Serbia.
Indinjata që i duket sheshazi Kurtit erdhi si pasojë e deklarimit të Lajçakut në Gazetën Express se “nuk është e nevojshme” që ky dokument të nënshkruhet dhe se as në parim s’ka pse.
Sepse, tha ai, “është dokument i brendshëm” i Kosovës; dhe këtu s’ka pse të gërshtehohet kurrësesi Serbia. Sepse cila do të ishte logjika?
Por, Kurtit – të cilit ka me muaj të tërë që i kërkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të del para me një propozim vetanak për Asociacionin – deklarimi i Lajçakut i erdhi stuhishëm.
Menjëherë pas kësaj interviste u angazhua në deflektimin e tij duke iu përgigjur, siç e quajti ai, “presionit publik” të Lajçakut.
“Meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq dhe Elbert Krasniqi”, shkroi Kurti.
Por, s’është në fakt hera e parë që Kurti ofrohet të shkruajë një draft-Statut; dhe as vizionin e tij se si do të duhej të dukej, simbas tij, Asociacioni.
Qysh në mars të këtij viti Kurti do të lajmërohej se Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kishte dalë para me një “ofertë bujare” për autonominë serbe; por se ky i fundit s’ia kishte pranuar; teksa e kishte quajtur edhe “Mr. Nyet”.
Kurti, shprehet kaherë se s’ka dashur të shkruajë draft-Statut meqë i druhej një “mesi simetrik” ndërmjet draftit të ofruar nga ai dhe atij të Danijella Vujiçiqit të SNS-së së ofruar më 2 maj, draft ky që, sipas Kurtit, “në themel përbënte dëshirë për Republika Srpska” në Kosovë.
“Pasi refuzoi të nënshkruajë Marrëveshjen e 27 shtatorit dhe para se të refuzonte ta nënshkruante me mua në mars Aneksin e Ohrit, Presidenti i Serbisë, refuzoi ofertën time bujare për vetëmenaxhim të serbëve të Kosovës; në një Asociacion që unë do draftoja dhe propozoja”, kishte shkruar Kurti në rrjetin e tij në “X”.
Por, ai do të dilte me një “draft-Vizion” për Asociacionin: të modeluar si paramendimit kroat të akomodimit kushtetues të pakicës serbe atje.
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, menjëherë pas takimit të Nivelit të Lartë më 2 maj në Bruksel, kishte thënë se “që të dy vizionet ishin serioze” referuar atij që (askush s’e di se çfarë do të thotë ajo) “draft-Vizionit” të Kurtit të paramenduar simbas modelit kroat dhe asaj të Danijella Vujiçiqit.
E këtu Escobar u kishte mëshuar toneve tamam çfarë u frikësohej Kurti për “mesin simetrik” duke thënë se tashmë palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” e që përkthehej në mesin e këtyre dy vizioneve, për t’u shkrikë në një model të pajtueshëm për dy palët.
Pas 2 majit situata është kështu, thoshte Escobar: “Topi është në oborret e palëve për të nisur të gdhendin propozimet e tyre për t’i bërë më të pajtueshme për palën tjetër dhe të nisin të kërkojnë për një model të bëshëm evropian(…)”. Tash palët do të paraqisnin “versionet më të rafinuara” të tyre për Asociacionin, sipas Escobar asokohe.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë”, shprehej ai.
Kësisoji, që nga atëherë – sipas (krono)logjikës – kishte nisur edhe shkrirja mes këtyre di vizioneve absolutisht të papajtueshme me njëra tjetrën.
Në fund të tetorit pesë emisarët euro-amerikanë do të sillnin një draft-Statut, për të cilën Miroslav Lajçak shprehej se “nuk i shkel vijat e kuqe të palëve”; dhe semantikisht kjo ishte e frikshme. Sepse si mund të mos shkeleshin?
Për ish-kryeminstrin kosovar, Isa Mustafën, ky pretendim se gjoja ishte arritur një vizion përbashkues ku s’tejkalohen vijat e kuqe të palëve – kushtetueshmërisë dhe moskrijimin të një niveli të tretë të pushtetit si vija të kuqe të palës kosovare dhe kërkesave të Serbisë që ajo të konstitutojë tamam nivel të ri pushteti ekzekutiv për komunat të banuara me shumicë serbe si vija të tyre të kuqe – “do të jetë një mashtrim spektakolar”.
Kështu kishte thënë Mustafa për Nacionalen, teksa krejt këtë besonte se do të arsyetonin dhe shisnin si arritje se “më mirë kjo se lufta” duke iu referuar Banjskën.
Dhe ashtu doli: Rezoluta 12/44 në Preambulë, autonomia e plotë territoriale dhe politike për serbët e Kosovës në komunat të banuara me shumicë serbe, si dhe Arbirtrazhi.
Këtu ishte krejt hilja.
Sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka gjetur veten sërish në mes të shkurtit dhe marsit duke kërkuar të shkruajë tash vet një draft-Statut; pasi një draft-Vizion e kishte ofruar më 2 maj; dhe i cili ishte marrë për pozicion të vet pikënisës.
Ndaj kësaj ka reaguar kohëve të fundit edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixihiku duke quajtur “tepër vonë”.
“Dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi.Jo si mes, por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!… Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’ dhe Presidenti i Serbisë”, ka shkruar Abdixhiku.