Lajme
Prej kur u bë gabim që të konsultohet Kushtetuta?
Demokracia
22:29 | 24 Shkurt 2023

Share:

Për Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, kritikat e kryeministrit, Albin Kurti, se partitë opozitare parlamentare po tentojnë ta paralizojnë punën e Qeverisë së Kosovës duke i dërguar në Gjykatën Kushtetuese disa nga projektligjet të përgatitura pikërisht nga ky ekzekutiv nuk qëndrojnë fare.

Në mbledhjen e 130-të të Qeverisë së Kosovës, Kurti i indinjuar me veprimet e ndërmarra nga partitë opozitare tha se në historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër.

Për koordinatorin e Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, deklarata e të parit të qeverisë ka për synim zhvendosjen e fajësisë, nga qeveria tek opozita.

“E vërteta është se faji është i Qeverisë që përgatit dhe miraton ligje jo kushtetuese, jo i PDK-së që i dërgon ato në Gjykatën Kushtetuese”, thotë fillimisht Gruda për Albanian Post.

Me konstatimin e Grudës pajtohet edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj.

Sipas tij LDK-ja në këtë drejtim po bënë punën e saj në mbrojtje të demokracisë.

“Të thuash se opozita po më ruan nga shkeljet kushtetuese se unë me ngul kam dëshirë ta shkeli atë, kjo është non sens për një qeveri dhe kryeministër”, thotë Zemaj për Albanian Post.

Avdullah Gruda dhe Armend Zemaj

Deklarata e Kurtit se opozita po bënë përpjekje dëshpëruese dhe paralizim reformash, sipas Grudës, nuk është asgjë tjetër përveç justifikim i dështimit të qeverisjes së tij.

“Dërgimi i rasteve në Gjykatën Kushtetuese nuk ka për qëllim paralizimin e punës së qeverisë, por mbrojtje e Kushtetutës së Kosovës nga shkeljet e vazhdueshme që po bënë kjo Qeveria. Ne, nuk po hedhim gurë, nuk po përdorim gaz në institucion, ne po përdorim institucione për të bërë opozitë, Kjo është ajo që duhet të bëjë çdokush që merret me politike në Kosovë”, argumenton më tej Gruda.

Në anën tjetër Zemaj thotë se LDK-ja gjithmonë ka potencuar se disa ligje dhe veprime të qeverisë së Kosovës janë në kundërshtim me kushtetutën.

“Shumë veprime të kësaj qeveria kanë rezultuar kundër-kushtetuese, ndërhyrjet në institucionet e pavarura, ndërhyrjet në borde dhe agjenci që në marrje të mandatit ishin tregues se qëllimi i tyre është më shumë kapje e shtetit se sa ndryshime sipas ndonjë programi i cili mund të përkthej në zhvillim pozitiv”, shton ai.

Deri më tani partitë opozitare kanë kontestuar Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë, Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligjin për Masat e Përkohshme Mbrojtëse për Furnizim me Produkte Themelore për Qytetarët, duke i dërguar të njëjtat në Gjykatë Kushtetuese.

Ndërsa Gjykata Kushtetuese deri më tani nuk ka marrë asnjë vendim ose vlerësim për kushtetutshmërinë e këtyre ligjeve të kontestuar nga partitë opozitare.

Të ngjashme