OpEd
Prej Katynit deri te Bucha
Demokracia
09:30 | 06 Prill 2022

Share:

Shkruan: Blerim Shala

Me atë të moçmen, e cila i atribuohet Karl Marxit, historia përsëritet, por teksa herën e parë ajo ndodhë si tragjedi, herën e ardhshme, ajo merr trajtën e farsës.

Duket që kështu nuk është në Ukrainë.

Historia këtu, dhe në këto anë të Evropës, e kështu ka qenë edhe në Ballkan, ka qenë gjithmonë tragjike, dhe e tillë ka mbetur edhe kur është përsëritur.

Përsëritja e saj, zatën, këtupari (në Ukrainë, Poloni), dhe në Ballkan (mbi të gjitha në Kosovë), ka qenë dëshmi e një kobi të vazhdueshëm historik, dhe e dështimeve të Evropës dhe të Perëndimit në përgjithësi, për të paqëtuar Evropën në të gjitha anët e saj.

Sot e kësaj dite, është kështu. Në fakt.

Në atë ‘Gjeografinë e krimeve’, të cilën ne në Kosovë e njohim shumë mirë (fatkeqësisht), krimet e luftës të Forcave ruse në Ukrainë, kanë nisur të shfaqen në vendet e para të cilat në përbashkësinë e tyre do ta marrin formën e një harte të tragjedive dhe të krimeve, brenda së cilës gjindet ‘Arkipelagu e varrezave masive’.

Bucha, një qytet jo larg kryeqytetit të Ukrainës, Kijevit, është emri i parë i tmerrit të konfirmuar, ku së paku 410 civilë të Ukrainës janë ekzekutuar nga trupat.

Tashmë e gjithë Bota e qytetëruar po flet për ‘Masakrën e Buchas’.

Nuk ka dyshim që Bucha do të jetë vetëm rasti i parë i një krimi të këtillë të luftës, në një luftë e cila si e tillë, është krim i pashembullt në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Nuk është befasi ky krim. Aq më pak është befasi reagimi i ashpër i Moskës zyrtare, në të cilën mohohet në mënyrë të prerë çfarëdo roli i Forcave ruse në Bucha, apo, pohohet që e tëra është inskenim i vetë Ushtrisë së Ukrainës. Për më shumë, Rusia po kërkon edhe Mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për ta adresuar rastin e Buchas.

Bucha, në një formë shumë më masive, më tragjike, (edhe pse dikush këtu me të drejtë mund të thotë që tragjeditë dhe masakrat nuk kanë ‘Njësi matëse’, apo, ato të gjitha janë të njejta kur bëhet fjala për autorin e tyre dhe për viktimat), ka ngjarë në muajin prill dhe maj të vitit 1940, në pyllin e Katynit, madje, edhe në Kharkiv, tani qytet në lindje të Ukrainës.

22 mijë oficerë dhe intelektualë polakë janë ekzekutuar, secili prej tyre me nga një plumb në kokë, nga prapa dhe fare afër, nga NKVD, apo Shërbimi i zbulimit të Bashkimit Sovjetik.

Kjo pjesë e Evropës i pati takuar, sipas Paktit Ribentrop – Molotov (të muajit gusht të vitit 1939), Bashkimit Sovjetik, teksa pjesën tjetër të Evropës lindore e okupoi Gjermania naziste.

Në justifikimin e një krimi të këtillë, krejtësisht të qëllimshëm të oficerëve dhe intelektualëve polakë, Stalini u pati thënë bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë: ‘Armiku (polakët), i armikut tim (nazistëve), është armiku im…’.

Kjo politikë brutale u dëshmua edhe në vitin 1944, kur Armata e Bashkimit Sovjetik (me urdhërin e Stalinit), refuzoi të hyjë në Varshavë dhe të ju ndihmojë kryengritësve polakë kundër okupimit nazist, derisa këta shkatërruan këtë kryengritje.

Kur Forcat naziste morën Katynin, Kharkivin dhe pjesët tjera ku kishte ndodhë ‘Masakra e Katyinit’, ata, nazistët, bënë gjithçka për të dëshmuar se Bashkimi Sovjetik ka bërë këtë krim të madh ndaj polakëve. Megjithatë, askush në Perëndimin e atëhershëm nuk u besoi. Të gjithë e mendonin të kundërtën.

E vërteta për Katynin do të zbulohej në Perëndim pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por, pakkush do të merrej me te.

Në Bashkimin Sovjetik, e vërteta për Katynin, do të zbardhej, së bashku me hapjen e arkivave, vetëm në vitin 1990, apo të thuash gjysmë shekulli më vonë. Ishte Mikhail Gorbachev, lideri i atëhershëm (dhe i fundit) i Bashkimit Sovjetik, i cili në përputhje me politikën e tij të ‘Glasnost-it’ (hapjes), zbuloi që NKVD, me urdhër të Stalinit, kishte shfarosur në këtë mënyrë mbi njëzet mijë polakë në ‘Masakrën e Katynit’.

Po mos të ishte guximi dhe sinqeriteti i Gorbachevit, as sot e kësaj dite në Rusi nuk do të dihej se çfarë kishte bërë shteti sovjetik në pyllin e Katynit.

Rusia e sotme, e Vladimir Putinit, edhe në këtë aspekt, dhe kjo po vërehet tani në shembullin e Buchas, e ditëve dhe javëve të tjera do të kuptohet kur të dalin në shesh ‘Buchat’ e tjera, i përngjet së tepërmi atij Bashkimit Sovjetik të kohës së Stalinit.

Në rastin e luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë, veçmas në luftërat e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës, Propaganda serbe thuaja të gjitha krimet e forcave të veta përpiqej t’i mbulonte njësoj si tani Propagadna ruse në Bucha, afër Kijevit.

Boshnjakët dhe shqiptarët kështu dilnin të jenë viktima të vetëvetes, apo, të forcave boshnjake dhe shqiptare, me qëllim të inksenimit të krimeve, e krejt me synim për të fajësuar forcat serbe dhe Serbinë.

Tragjeditë e këtilla historike nuk do të duhej të ndodhnin më në Evropë.

Të ngjashme