“Kjo i bie që cilado ministri që e merr dhe e përpilon një udhëzim administrativ, mund t’ia japë një kompetencë KQZ-së dhe KQZ-ja pastaj të veprojë. Në mënyrë banale ta shpjegojmë, i bie kështu: Do të thotë, Ministria e Mjedisit thotë që KQZ-ja duhet ta bëjë një votim se a duhet të mblidhen lule në Prishtinë apo s’duhet dhe KQZ-ja pastaj të caktojë një votim se a duhet të mblidhen ato lule apo jo”.
Kështu e ka shpjeguar ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, vendimin e KQZ-së, me të cilin caktohet data 21 prill 2024 për votim për shkarkimin ose jo të kryetarëve të veriut, shkruan Demokracia.com.
Por, prapa këtij shpjegimi kaq të thjeshtuar, që nga data 8 mars 2024, pas presionit të madh të ushtruar në prapaskenë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka krijuar precedentin e rrezikshëm për demokracinë dhe procedurat demokratike në Republikën e Kosovës.
Me anë të vendimit, KQZ-ja e ka hapur rrugën që në të ardhmen “dëshirat” e Qeverisë së Kosovës, si pushtet ekzekutiv që rrjedhë drejtpërdrejtë nga zgjedhjet, të plotësohen në çdo kohë, duke anashkaluar hierarkinë institucionale dhe procedurat demokratike të përcaktuara në Kushtetutën e Republikën së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e rëndësishme të saj, siç është Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale, përcaktojnë qartë procedurat demokratike mbi të cilat duhet të kalohet që të vijë deri te një proces zgjedhor.
Vetëm me anë të këtyre procedurave, ashtu si në çdo shtet tjetër demokratik në botë, sigurohet funksionaliteti i shtetit demokratik. Në të kundërtën, thyerja e këtyre procedurave krijon mundësitë për keqpërdorimin dhe abuzimin me pushtetin nga Ekzekutivi / Qeveria apo shumica që udhëheq shtetin.
KOMPETENCAT E NDARA TË PRESIDENTIT DHE KQZ-së
Në të gjitha rastet kur krijohen kushtet për t’u organizuar një proces zgjedhor, Kushtetuta e Kosovës ka përcaktuar rolin e secilit institucion.
Kësisoj, është Kushtetuta e Kosovës që ka qartësuar edhe rolin dhe përgjegjësitë e Presidentit të Republikës, ashtu edhe ato të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas nenit 84 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti ka për detyrë të shpallë datën e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, kurse sipas nenit 4 të Ligjit për Zgjedhje Lokale është gjitashtu detyrë e Presidentit që të caktojë datën e zgjedhjeve lokale.
Ndërkaq, sipas nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, KQZ nuk ka për kompetencë të caktojë datën e ndonjë procesi zgjedhor, por vetëm ta “përgatit, mbikëqyr, drejtojë dhe verifikojë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre”.
QEVERIA PA KOMPETENCA NË ZGJEDHJE
Qeveria e Kosovës apo pushteti ekzekutiv, nuk ka asnjë kompetencë ligjore apo kushtetuese në organizim të proceseve zgjedhore.
Sipas Ligit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i vetmi obligim i Qeverisë, sipas nenit 113 është “financimi i zgjedhjeve”, pra sigurimi i buxhetit të nevojshëm për KQZ-në që t’i mbajë zgjedhjet.
SHTATOR 2021 – SI KISHIN TENTUAR KURTI DHE OSMANI TË KEQPËRDORIN PUSHTETIN DHE T’I SHTYJNË ZGJEDHJET LOKALE?
Në shtatorin e vitit 2021, vetëm pak muaj pasi Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet parlamentare, presidentja Osmani, nën dirigjimin e kryeministrit Kurti kishte tentuar të keqpërdorë pushtetin e saj politik dhe ishte hedhur në “aksion” për të shtyrë datën e Zgjedhjeve Lokale, të cilën ajo e kishte caktuar që të mbahej më 17 tetor 2021.
Aryseja kryesore që po e “shtynte” Osmanin të vepronte kundër Kushtetutës së Kosovës ishte një rekomandim i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) për shtyrjen e Zgjedhjeve Lokale.
Në fakt, prapa këtij rekomandimi qëndronte Vetëvendosje, e cila ishte frikësuar nga sondazhet zgjedhore, sipas të cilave gjasat ishin minimale që ndonjë kandidat i saj të fitonte në Zgjedhjet për Kryetar Komune.
Për opozitën dhe njohësit e Kushtetutës, shtyrja e zgjedhjeve do të ishte një suspendim i demokracisë.
Osmani ishte tërhequr nga ideja, pasi ajo nuk gjeti mbështetje, por la pas tendencën e hapur të pushtetit dhe gatishmërinë e Kurtit dhe Osmanit për të suspenduar Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi.
Tendencat e tilla mund të keqpërdoren sërish nga pushteti, i cili në dhjetëra raste ka hartuar ligje që nga Gjykata Kushtetuese janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/