Lajme
Parapaskenat e shkarkimit të zëvendësministrit rom, flet Sejnur Veshall
Demokracia
19:14 | 04 Korrik 2022

Share:

Sejnur Veshall, i cili më 1 prill të vitit të kaluar u emërua në pozitën e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga radhët e komunitetit rom, sot është liruar nga detyra.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kërkesë të Iniciativës Qytetare – Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, ka liruar nga detyra e zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sejnur Veshall.

Demokracia.com ka folur me Sejnur Veshallin, i cili ka thënë se nuk e ka të qartë pse është liruar nga detyra, pasi që ka punuar mjaft shumë për komunitetin rom që jeton në Kosovë.

“Kjo ka qenë kërkesa e partisë, e cila më ka propozuar. Pa ndonjë justifikim, pa ndonjë arsye, pa ndonjë bazë më ka liru prej postit. Do me thënë është komplet çështje personale e partisë. Nuk kanë as justifikim juridik, as adekuat. Vetëm është çështje personale dhe asgjë më shumë. Absolutisht është e padrejtë, sepse nuk ka pasur asnjë bazë me u liru prej detyrës vetëm se është kërkesë, e cila ka qenë kërkesë e koalicionit edhe më ka rekomandu për koalicion, edhe për qato është e padrejtë. Nuk ka asnjë arsye pse me u liru. Jam liru nga detyra mbi motivet personale dhe nuk jam t’u i kuptu as motivet pse? Sepse, puna ime në qeveri ka qenë që të japim rezultate konkrete të komunitetit në kuadër të ministrisë. E për këtë e njoftova edhe kryeministrin, ministrat dhe të gjitha mediat. Nuk ka pasur ndonjë gjë të specifikuar në lidhje me lirimin tim. Asgjë më shumë jashtë kësaj. Edhe kryeministri më tha, më vjen keq, të është bërë e padrejtë, por është për shkak të koalicionit, prandaj lirohesh”, ka thënë Veshall për Demokracia.com.

Në anën tjetër, Erxhan Galushi, nga Iniciativa Qytetare – Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, i cili edhe kishte propozuar që Veshall të emërohej në pozitën e zëvendësministrit, ka thënë për Demokracia.com se ky ka qenë vendim i kryesisë së partisë.

“Është vendim i kryesisë edhe tash për tash mundem me thënë se ka vendosur kryesia e partisë me e liru nga detyra. Nuk ka ndonjë arsye personale, siç është cek aty. Por, janë arsye të brendshme partiake dhe meqenëse janë vendime të brendshme partiake, me vendimin e kryesisë së partisë e morëm vendimin që ta lirojmë nga detyra. Kaq”, është shprehur Galushi për Demokracia.com.

Ai ka hezituar të tregojë se mbi çfarë të gjeturash e ka marrë kryesia këtë vendim.

“Janë vendime brenda partisë”, ka përsëritur ai.

Emërimi i Veshallit në këtë pozitë kishte ardhur me vendim të deputetit Erxhan Galushi, i cili po ashtu është nga komuniteti rom. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

https://demokracia.com/kurti-liron-nga-detyra-nje-zevendeskryeminister-kjo-eshte-arsyeja/

Të ngjashme