Droni që vrau tre ushtarë amerikanë dhe plagosi dhjetëra të tjerë në Jordani mund të jetë ngatërruar me një dron amerikan që po kthehej në bazën amerikane, thanë të hënën dy zyrtarë amerikanë.
Ndërsa droni i armikut po fluturonte në një lartësi të ulët, një dron amerikan po kthehej në bazën e vogël të shkretëtirës të njohur si Kulla 22, sipas një raporti paraprak të cituar nga zyrtarët, të cilët nuk ishin të autorizuar për të folur për çështjen.
Si rezultat, nuk pati asnjë përpjekje për të rrëzuar dronin e armikut që goditi bazën të dielën herët në mëngjes. Një prej objekteve ku flinin trupat amerikane pësoi dëmin më të madh nga goditja, ndërsa zonat përreth patën dëme të kufizuara nga shpërthimi dhe mbeturinat që fluturuan tutje.
Zyrtarët thanë se nga 34 trupat e plagosur, shumica kishin prerje, mavijosje, lëndime në kokë dhe plagë të ngjashme. Një nga të plagosurit është në gjendje kritike, por të qëndrueshme.
Shtëpia e Bardhë tha të hënën se nuk po kërkon luftë me Iranin edhe pse presidenti Joe Biden u zotua për veprime hakmarrëse. Administrata e zotit Biden beson se Teherani qëndron pas sulmit.
Ai u takua me anëtarët e ekipit të tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit.
Sulmi rrit shqetësimet në një situatë tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ndërsa administrata e zotit Biden përpiqet të ndalojë që lufta Izrael-Hamas të zgjerohet në një konflikt më të gjerë rajonal.