Dy të akuzuarit Leutrim Bajraliu dhe Leonit Demi, e kanë pranuar fajësinë se në shkurt të këtij viti në Kamenicë, me marrëveshje paraprake dhe me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm kanë organizuar veprimtari të kundërligshme – lojëra të fatit.
Një deklarim të tillë, ata e dhanë në seancën fillestare të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Huma Jetishi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E pranoj fajësinë, jam pendu shumë”, deklaroi i akuzuari Bajraliu.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër Demi tha se ai nuk e dinte paraprakisht se ajo që kishte bërë është vepër penale.
“Unë veç punëtor jam kanë aty. Nuk e kam ditë që është vepër penale, se s’kisha punu hiç”, deklaroi Demi.
Gjykatësi Sadri Krasniqi, shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar të bëhet nesër (4 shkurt).
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 1 mars të këtij viti ka ngritur aktakuzë ndaj Leutrim Bajraliut dhe Leonit Demit, me arsyetimin se në shkurt të këtij viti në Kamenicë, ata me marrëveshje paraprake dhe me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm kanë organizuar veprimtari të kundërligshme – lojëra të fatit.
Sipas prokurorisë, i akuzuari Bajrami fillimisht e ka marrë me qira lokalin përkatës dhe i kishte siguruar mjetet, të gjitha pajisjet e nevojshme për këtë aktivitet, ndërsa i akuzuari Demi ka qenë punëtor i lokalit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se zyrtarët policorë gjatë kontrollit në këtë lokal kanë konstatuar se në të po organizohet dhe kryhet veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit dhe në këtë rast përkohësisht janë konfiskuar një TV “Blaupunki”, një monitor “Samsung”, një shtëpizë kompjuteri “Dell”, printer të tiketave “Keno”, tastierë, maus, kabllo, letra, rollne për printim, para të gatshme 200 euro e 40 centë dhe bileta të printuara.
Me këtë, Bajrami dhe Demi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi/