Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca edhe pse kanë kaluar gati 24 orë pas pranimit të propozimit të BE-së, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Konjufca që ishte kundërshtues i madh i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sot ka zgjedhur heshtjen përballë faktit që shefi i tij i partisë, Albin Kurti e pranoi formimin e asaj që ata e quanin me termin serb “Zajednicë”, shkruan Demokracia.com.
Në emisionin Debat Plus ditë më parë ai e kishte refuzuar formimin e Asociacionit në çfarëdo mënyre. Sipas tij “Zajednica” nuk do të formohej kurrë në Kosovë.
“Zajednica nuk do të bëhet kurrë”, kishte thënë Konjufca.
Kur gazetari e kishte pyetur nëse ai mund të bëhet pa kompetenca ekzekutive, Konjufca e kishte mohuar në mënyrë kategorike.
“Unë mendoj që jo, nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrfarë asociacioni, as kësi, as asi. Sepse nëse është bashkim i komunave serbe, në çfarëdo mënyre, unë mendoj se nuk duhet të ndodh kurrë. Kështu besoj se edhe do të jetë”, kishte thënë Konjufca.
Ai sot është parë në nderim të 24 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe më 28 shkurt 1998 në Likoshan dhe Qirez. /Demokracia.com/