Lajme
Pozitë e opozitë druhen se Rusia po e përdorë Serbinë për përshkallëzim të situatës në Kosovë
Demokracia
17:51 | 11 Shkurt 2024

Share:

Mundësi të reja për përshkallëzim të situatës në katër komunat veriore, po shohin anëtarët e komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Kuvendin e Kosovës. Lënia në liri e grupit paramilitar serb, që kreu sulmin në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator, e që përgjegjësinë e mori, Millan Radoiçiq, po shihet si potencial për ngritje tensionesh.

Një sulm si ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit mund të përsëritet sërish.

Kjo pasi grupi terrorist që veproi në Kosovë, gjendet i lirë në Serbi pa u ndëshkuar.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Enver Dugollit, thotë se mos ndëshkimi i personave përgjegjës për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, lë hapësirë për sulme të reja në Kosovë.

“Ekzistojnë shqetësimet e bazuara për një skenar të ngjashëm me vet faktin se përgjegjësit ende janë të lirë, të cilët janë identifikuar me atë informacionin. Janë ende të lirë në serbi, ata vazhdojnë të veprojnë lirshëm pa qenë të ndëshkuar pa qenë të ndaluar. Dhe ky fakt tregon shumë për kompleksitetin e kësaj situate… Ata nuk gjenden në Kosovë, janë diku në Serbi. Në momentin që janë të qasshëm për organet e rendit do të arrestohen”, thotë ai.

E pretendimet se Rusia po e përdor aleatin e saj Serbinë, për të krijuar konflikte të reja në rajon, përfshirë Kosovën, e thotë edhe deputeti nga LDK-ja, Anton Quni.

“Në rajon e ka aleatin e fuqishëm Serbinë me të cilët ne ende nuk e kemi një epilog pozitiv sa i përket raporteve tona. Po ashtu është Bosnja dhe Hercegovina që kohëve të fundit i ngrit tensionet e ndryshme, në baza etnike, nacionale e tjera. Shqetësimet e ministrit gjerman të mbrojtjes janë me vend, ato duhet të merren në konsideratë nga qeveritë në rajon por edhe ajo e Kosovës”, thotë ai.

Ndërsa, Rashit Qalaj nga PDK, mendon se Serbia është e interesuar tashmë të ngritë tensione të reja.

“Kur në vazhdimësi kemi thirrje nga presidenti i Serbisë, nga qeveria e Serbisë, në drejtimin e tensioneve të mundshme etnike gjoja se Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, po tentojnë të bëjnë një lloj dëbimi të popullit serb nga Kosova gjë që nuk qëndron, mirëpo kjo tregon se Serbia është e interesuar që të ketë incidente të reja në atë rajon”, pohon ai për Tëvë1.

Vitin e kaluar ministria e Punëve të Brendshme pati publikuar 40 persona të nacionaliteti serb, të dyshuar për përfshirje në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, tashmë ka dorëzuar një raport përmbledhës në Bashkimin Evropian për sulmin në Bansjkë, ajo ka kërkuar edhe ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë për tu përballur me drejtësi.

Të ngjashme