Lajme
Portieri italian me origjinë ruse, që lufton për Ukrainën: Më quajnë “Shqiponja e Zezë”
Demokracia
12:36 | 22 Mars 2022

Share:

“Black Eagle” merr një armë në dorë, skanon horizontin, shikon ekranin e smartfonit dhe më pas e kthen atë e dokumenton shkatërrimet e luftës. Ivan Luca Vavassori është 30 vjeç, me origjinë ruse, i birësuar nga prindër italianë dhe tani lufton në Ukrainë kundër trupave “Zeta”, që Putini ka nisur në sulm.

Më 24 shkurt shpërtheu i gjithë “ferri”, dy ditë më vonë ai “vari këpucët e futbollit dhe dorezat e portierit në gozhdë”, duke shpjeguar se do t’i vishte përsëri vetëm për të luajtur me miqtë. Karriera e tij kaloi nga Pro Patria, Bra, Legnano, Vittuone dhe më pas Bolivia e Santa Cruz.

Vendi i tij në botë ishte diku tjetër, në atë rrip të Evropës që kërcënon t’i vërë zjarrin Kontinentit të Vjetër. “Më quajnë komandant Roma, shqiponja e zezë”, – thotë ai në një nga videot e tij në “Tik Tok”.

Pavarësisht se është në luftë, ai nuk është i interesuar të bëhet ushtar. Kur lufta në Ukrainë të ketë mbaruar, ai do të përpiqet të harrojë gjithçka, duke shpresuar se nuk do të jenë më të dobishme armët. Po pse u fut në skenarin e konfliktit, duke u regjistruar përkrah ukrainasve? “Sepse kjo është një luftë që prek të gjithë botën”, – përgjigjet ai.

Zelensky e përsërit këtë pa pushim kur flet për rezistencën e fuqishme të popullit të tij dhe kërkon që Perëndimi, NATO, SHBA të dalin hapur për të kundërshtuar Rusinë dhe synimet ekspansioniste të liderit të Kremlinit.

“Ukrainasit po luftojnë për diçka ndryshe. Ne erdhëm këtu për t’i ndihmuar, në mënyrë që lufta të mos arrijë në Evropë, ndërsa ata të mbrojnë shtëpitë dhe familjet e tyre”, – thotë portieri që la futbollin dhe u rreshtua në llogoren e luftës kundër pushtimit rus.

Të ngjashme