Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tani kur e mori pozitën për të cilën përdori çdo mjet që ta fitojë, po dështon t’u jap qytetarëve të vendit zgjidhje për rritjen e çmimeve në pothuajse të gjitha produktet elementare për jetë.
Dikur para se të bëhej kryeministër, Kurti deklaronte se populli i Kosovës po mbetet pa bukë, e kjo sipas tij për shkak të “zullumit e zhvatjes” nga politikanët e atëhershëm, përcjell Demokracia.com.
“Kur perëndon dita, mbrëmja është ajo që e shuan urinë dhe e fashit etjen. Por, jo të gjithë kanë mbrëmje. Shumë nga populli ynë po kanë vetëm ditë të gjata pa bukë. Mbrëmja për ta do të vijë kur të perëndojnë zullumi e zhvatja. Atëherë do të vijë edhe buka”, kishte thënë ai.
Ditëve të fundit, në Kosovë ka pasur rritje të lartë të çmimeve në sektor bazik, siç është ai i derivateve, ku një litër naftë kushton deri në 1.83 cent.
Qytetarët po ashtu janë shprehur të shqetësuar për rezervat e miellit dhe të grurit, për të cilat, Kurti thotë se ka mjaftueshëm, përcjell Demokracia.com.
Megjithatë, ditëve të fundit nëpër dyqane janë parë me qindra qytetarë duke i blerë produktet bazike ushqimore, për shkak të frikës së shtrenjtimit.
Deri më tani, Qeveria nuk ka propozuar asnjë masë që t’u dalë në ndihmë qytetarëve në një situatë si kjo, gjë e cila i ka nervozuar shumë.
Kjo shihet edhe në disa komente të cilat Kurtit ia kanë lënë sot qytetarët, duke përfshirë edhe votues të tij, të cilët shprehen të zhgënjyer me të zgjedhurin e tyre./Demokracia.com/