Qeveria e Polonisë ka njoftuar se është e gatshme që menjëherë t’i transferojë aeroplanët e saj MIG-29 te SHBA-ja për përdorim të Ukrainës.
“Autoritetet e Republikës së Polonisë, pas konsultimeve mes presidentit dhe Qeverisë, janë të gatshme që menjëherë të transferojnë gjithë aeroplanët MIG-29 në bazën ajrore Ramstein dhe t’i vënë ato në dispozicion të Qeverisë së SHBA-së. Në të njëjtën kohë, Polonia kërkon nga SHBA-ja të na ofrojë ne aeroplanë luftarakë të përdorur me aftësi operacionale të ngjashme. Polonia është e gatshme menjëherë të vendosë kushtet e blerjes së aeroplanëve. Qeveria e Polonisë kërkon po ashtu nga aleatët e NATO-s – pronarë të aeroplanëve MIG-29 – të veprojnë në të njëjtën frymë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Polonisë.
Ukraina ka bërë thirrje që t’i ofrohen më tepër aeroplanë luftarakë nga Perëndimi. SHBA-ja ka biseduar me Poloninë që aeroplanë luftarakë ish-sovjetikë të transferohen në Ukrainë, ndërsa në këmbim të furnizohet Polonia me aeroplanë amerikanë të tipit F-16.