Nikola Sanduloviq, kryetari i Partisë Republikane Serbe, ka shpërndarë në rrjetet sociale një fotografi nga pritja e djeshme e liderëve shtetërorë në Moskë.
Aty shihet se ku ishte vendosur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në raport me udhëheqësit e tjerë botërorë.
“Ja sa vlen në politikën reale ndërkombëtare diktatori i çmendur serb Aleksandar Vuçiq. Ulur në rreshtin e fundit pranë padronit të tij Putinit, ashtu si edhe në të gjitha takimet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare ku mblidhen presidentët e vendeve”, shkroi ai.
“Vetëm në Serbi ai mund ta paraqesë veten si një figurë të rëndësishme politike në skenën ndërkombëtare me gënjeshtra, trillime dhe mistifikime personale… Përndryshe, në ato mbledhje gjithmonë shihet qartë se çfarë mendojnë për të dhe si e trajtojnë”, ka shkruar Sanduloviq.
Kujtojmë se Vuçiq ka shkuar në Moskë për të marrë pjesë sot në paradën e madhe ushtarake në Sheshin e Kuq, me rastin e përvjetorit të 80-të të fitores kundër fashizmit.
Vuçiq ka deklaruar se vizita e tij në Moskë është e rëndësishme për arsye konkrete dhe racionale, përfshirë çështjet e energjisë dhe marrëdhëniet dypalëshe, por se në vend të mirëkuptimit nga Perëndimi, po përballet me kërcënime dhe përpjekje për frikësim.