Lajme
Politika reflektohet në ekonomi, nuk pati shumë bashkëpushim mes Shqipërisë dhe Kosovës në vitin 2023
Demokracia
19:30 | 17 Dhjetor 2023

Share:

Raportet e dobëta dhe të brishta mes pushteteve politike në Shqipëri dhe Kosovë duket se janë reflektuar edhe në bashkëpunimin ekonomik të dy vendeve, ku shkëmbimi tregtar ka lëvizur pak prej vitit të shkuar, edhe pas nënshkrimeve të disa marrëveshjeve me rëndësi në këtë sektor.

Nga njëra anë, Shqipëria ka vijuar të dominojë në tregun e Kosovës, duke dërguar shumë më shumë mallra se sa ajo merr.

Nga Shqipëria në Kosovë, në periudhën janar-shtator të këtij viti, kanë hyrë rreth 55 milionë euro produkte më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, me rritje prej rreth 30%.

Vlera e importeve në këta muaj ka tejkaluar shumën prej 238.9 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2022, ka qenë mbi 183 milionë euro.

Nga ana tjetër, akoma më pak optimist është bilanci i palës kosovare, ku gjithsej janë kaluar në Shqipëri mallra me vlerë 82 milionë euro. Një vit më parë, shifra ishte 77 milionë euro, duke treguar kështu një rritje prej vetëm 6.5%.

Nëse do të kryhej një pasqyrë krahasuese mes vendeve, atëherë do të vihej re se Shqipëria dërgon në Kosovë rreth trefishin e mallrave që vijnë anasjelltas.

Teksa, investimet reciproke janë rritur në masë të gjerë, ndryshe nga import-eksporti i mallrave.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se investimet shqiptare në Kosovë janë më të lartat ndonjëherë, duke kapur vlerën e 79.7 milionë eurove. Në vitin 2019, po sipas Kurtit, investimet ndaleshin në 15.2 milionë euro.

Investimet e Kosovës në Shqipëri ndërkaq kanë arritur vlerën e 52 milionë eurove, duke shënuar rritje prej 53%, sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë.

Thënë kjo, investimet kosovare në Shqipëri zënë sërish një volum shumë të ulët krahasuar me totalin, duke kapur vetëm 3.8% të tregut.

Me hyrjen në lojë gjithsesi të një plani zhvillimor hekurudhor, duke përfshirë edhe Portin e ri të Durrësit me portin e thatë në Prishtinë, gjërat mund të ndryshojnë shpejt në të ardhmen e afërt.

Të ngjashme