Lajme
Politika e jashtme: Këto janë vendimet e reja të presidentit amerikan, Joe Biden
Demokracia
22:50 | 04 Shkurt 2021

Share:

Presidenti amerikan, Joe Biden sot zhvilloi vizitën e tij të parë në Departamentin e Shtetit, prej ku konfirmoi vendime të reja nga Administrata e tij.

Biden para mediave ka konfirmuar se do t’i japë fund mbështetjes së SHBA-së për fushatën ushtarake të Arabisë Saudite në Jemen, teksa u zotua se do të përballet me Rusinë dhe Kinën, transmeton Demokracia.com.

Presidenti i ri amerikan mes tjerash premtoi se do t’i diskutojë problemet si pandemia dhe ndryshimet klimatike me partnerët e vendit.

Tutje në fjalimin e tij, Biden ka konfirmuar se do ta “ngrijë’ vendimin e ish-presidentit Donald Trumo lidhur me trupat ushtarake amerikane në Gjermani.

Biden tha se është “ndaluar çdo tërheqje e planifikuar e trupave ushtarake nga Gjermania”, gjë që ishte vendosur nën administratën Trump.

Po ashtu, Administrata e re Amerikane ka pasur tone të fuqishme edhe ndaj Moskës, duke i bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që ta lirojë Alexei Navalny.

Sidoqoftë, Biden ka theksuar se do të bashkëpunojë me Putinin atëherë kur kjo do t’i shërbejë SHBA-së, duke përmendur marrëveshjen e re për të zgjatur traktatin bërthamor për edhe pesë vjet të tjera.

Në fund, Biden ka folur edhe lidhur me grusht shtetin e organizuar në Mianmar. Presidenti i SHBA-së tha se “forca nuk duhet të kërkojë kurrë ta shkelë vullnetin e njerëzve./Demokracia.com/

Të ngjashme