Ditëve të fundit në Kosovë janë raportuar disa incidente në shkolla dhe në afërsi, ndërsa një prej tyre javën që lam pas në Prizren përfundoi me fatalitet. Nga policia kanë thënë se ka ulje të këtyre rasteve, por se ndonjëherë menaxhmenti i shkollave nuk i lajmëron ato për shkak të ruajtjes së imazhit.
Demokracia.com ka pyetur Zyrën për Informim të Policisë së Kosovës lidhur me këto ngjarje.
Në përgjigjen e PK-së thuhet se gjatë vitit 2020 ka pasur rënie të këtyre rasteve, kjo si pasojë e mbylljës se institucioneve arsimore për shkak të pandemisë.
Policia ka treguar shifrat e viteve paraprake, që janë raportuar e që kanë ndodhur në objektet shkollore dhe rreth tyre.
“Gjatë vitit 2019 janë raportuar gjithsej 490 raste të incidenteve në shkolla dhe perreth shkollave, gjatë vitit 2020 janë raportuar gjithsej 221 raste.” tha Zyra për informim e PK-së për Demokracia.com.
Bazuar në statistikat e policisë, Prishtina ndër vite është vendi ku ka raste me të shumta të incidenteve në shkolla dhe rreth tyre, për shkak të numrit më të madh të banorëve.
Policia ka treguar po ashtu se ka raste edhe kur vetë menaxhmenti i shkollës, mundohet t’i zgjidh vetë problemet dhe nuk i raportojnë në polici, raporton Demokracia.com
“Raportimi i rasteve është mjaft i shpeshtë ,po jo rrallëherë ndodhë që ka shkolla ku menaxhmenti i shkollës mundohet që të bejë vetë zgjidhjen e problemeve duke mos i raportuar ato në polici!”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Zyre për informim tregoi po ashtu se mos raportimi i rasteve ndodhë me qëllim të ruajtjes së imazhit të shkollës dhe vetë menaxhmentit të saj.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar një 15 vjeçar në Prizren ka vdekur si pasojë e therrjes me thikë në afërsi të shkollës./Demokracia.com