Policia e Kosovës ka realizuar një tender në vlerë prej mbi 17 mijë eurosh për furnizim dhe montim të disa pjesëve për dy automjete Mercedes G 63 AMG, pjesë e flotës së saj zyrtare. Tenderi përfshin pjesë elektronike dhe fizike që konsiderohen të sofistikuara dhe specifike për këtë tip automjeti, i njohur për luksin dhe performancën e lartë, shkruan Demorkacia.com.
Tenderi quhet “Furnizim dhe montim me pjesë për 2 automjete Mercedes G 63 AMG të PK-së”.
Sipas dosjes së tenderit, kontraktimi ka të bëjë me furnizim të pjesëve për automjetin me numër shasie ËDB4632721X269836, përfshirë:
- Qelës elektrik
- Qelës metalik
- Kompjuter (Control unit, complete DVD DRIVE)
- Kompjuter (Control unit, complete COMAND)
- Kompjuter (Control unit, complete SAM)
Bëhet fjalë për pjesë që, në automjetet luksoze të tipit G63 AMG, kanë çmime shumë më të larta se automjetet standarde, për shkak të teknologjisë së avancuar dhe sistemit të kodimit elektronik. Për shembull, vetëm njësia COMAND, që përfshin sistemin e navigimit, ekranin qendror dhe menaxhimin multimedial, kushton nga 3,000 deri në 5,000 euro, varësisht nga versioni dhe kostoja e kodimit.
Bazuar në dosjen e tenderit, Policia nuk ka bërë të ditur nëse dëmtimi apo problemet teknike të raportuara janë rezultat i përdorimit të zakonshëm apo faktorëve të tjerë si aksidentet, keqpërdorimi apo mungesa e mirëmbajtjes.
Ndërhyrjet në automjete të tilla nuk janë vetëm të shtrenjta, por edhe të ndjeshme, pasi kërkojnë instalim dhe kodim elektronik të specializuar, që zakonisht kryhet vetëm në servise të autorizuara të Mercedes-Benz.
Për kontratë, me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë është rekomanduar kompania nga Prizreni “BAAF SH.P.K.” Vlera e ofertës ka qenë 17,193.18. euro.
Institucionet e sigurisë përballen me sfida të shumta buxhetore dhe nevojë për investime në pajisje bazike për policinë patrulluese, shpenzime të tilla për automjete luksoze hapin pyetje të arsyeshme për prioritetet buxhetore dhe menaxhimin e mjeteve publike. /Demokracia.com/