Lajme
Policia për veriun: Situata tani është qetësuar
Demokracia
21:54 | 26 Maj 2023

Share:

Policia e Kosovës ka njoftuar se situata në veri është qetësuar, ndërsa do ta vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin në ofrimin e sigurisë për të gjitha qytetarët pa dallim.

Policia përmes një komunikate të premten ka theksuar se ka ndërmarrë të gjitha masat policore për të parandaluar çdo veprimtari kriminale që mund të paraqitet.

“Situata tani është qetësuar, Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që mund të paraqiten në vend”, thuhet në njoftim.

Policia edhe një herë ka bërë të ditur se u kanë bërë thirrje vazhdimisht qytetarëve të mbledhur në komunat veriore, kërkesat të cilat nuk janë përfillur prej tyre.

“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveçan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare. Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale. Kryetarët e komunave pas veprimeve policore, kanë hyrë në objektet komunale, në vendet e tyre të punës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër automjete zyrtare, përfshirë një e djegur, janë dëmtuar vetura civile, përfshirë të gazetarëve dhe tre vetura të EULEX-it.

Mjetet transportuese janë larguar, sipas Policisë, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa autoritetet kanë angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore.

Rasti është cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”.

Të premten në mesditë, mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale, një ditë pas betimit. Është nevojitur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale, që t’u mundësohet kryetarëve të hyjnë në objektet komunale. Situata është tensionuar dhe Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.

Të ngjashme